Dy shtetas shqiptarë, 20 dhe 26 vjeç, janë arrestuar nga karabinierët në Itali, të dyshuar për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
Arrestimet janë kryer në zonën e Tor San Lorenzo, në komunën e Ardea-s, pranë Romës. Të dy të rinjtë, të cilët banonin në Aprilia, u ndaluan në dy operacione të veçanta të zhvilluara nga karabinierët brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Sipas mediave italiane, arrestimi i parë u krye gjatë një patrullimi në bulevardin San Lorenzo. Efektivët vunë re 26-vjeçarin duke i dorëzuar një pako të dyshimtë një personi tjetër, përmes portës së një banese. Kur kuptoi se po ndiqej nga policia, i riu u largua me automjet, por pas ndjekjes u ndalua në rrugën Adda, në Aprilia.
Gjatë kontrollit të automjetit, karabinierët gjetën 12 gramë kokainë të ndarë në 26 doza, 2 gramë crack dhe 3 gramë hashash.
Ndërsa një ditë më pas, efektivët ndaluan edhe 20-vjeçarin, i cili po drejtonte automjetin e tij. Gjatë kontrollit, në pjesë të ndryshme të makinës u gjetën 10 gramë kokainë, 3 gramë crack, 2 gramë hashash dhe 1 gram marihuanë.
Të dy shqiptarët akuzohen për mbajtje të lëndëve narkotike me qëllim shitjen dhe janë vënë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.












