Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., i dyshuar për përfshirje në dhunën e 29 majit 2023 në Zveçan, ku u sulmuan pjesëtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.
I pandehuri akuzohet për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Sipas aktakuzës, ngjarjet kanë ndodhur më 29 maj 2023, nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin përreth objektit të Komunës së Zveçanit.
Prokuroria pretendon se A.S., në koordinim me persona të tjerë të dyshuar, me kombësi serbe nga Kosova dhe Serbia, ka qenë pjesë e grupit që kreu veprimet e dhunshme.
Ai dyshohet se, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka sulmuar ushtarët e KFOR-it duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.
Aktakuza lidhet me trazirat e 29 majit 2023, kur situata në veri të Kosovës u përshkallëzua në përplasje të dhunshme pranë ndërtesës së komunës në Zveçan.


