Kreu i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister, ka ngritur shqetësimin për situatën politike në Shqipëri, duke iu referuar protestave qytetare kundër korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe rritjes së kostos së jetesës.
Gjatë një mbledhjeje të Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, McAllister u shpreh se qytetarët shqiptarë kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar këto problematika. Ai solli në vëmendje edhe ndërtimin e kullave në Tiranë, duke ngritur pikëpyetje mbi burimin e parave që investohen në këto projekte dhe rrezikun e pastrimit të parave.
“Shqiptarët dolën në rrugë kundër abuzimit të pushtetit, rritjes së korrupsionit dhe rritjes së kostove të jetesës”, deklaroi McAllister.
Një tjetër çështje e ngritur prej tij ishte mundësia e krijimit të një qeverie teknike. Sipas kreut të Komisionit për Punët e Jashtme në PE, një qeveri e tillë mund t’u japë qytetarëve më shumë besim për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ai argumentoi se një zgjidhje e tillë mund të ndihmojë gjithashtu në uljen e tensioneve politike dhe qetësimin e situatës së protestave në vend.
Deklaratat e McAllister vijnë në një kohë kur Shqipëria po përballet me protesta të vazhdueshme kundër qeverisë, ku ndër kërkesat kryesore të qytetarëve është largimi i kryeministrit Edi Rama.













