Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur t’i kërkojë një mendim urgjent Komisionit të Venecias për modelin e propozuar të provimit të jurisprudencës, në një kohë kur kërkesa e studentëve shqiptarë për zhvillimin e tij tërësisht në gjuhën shqipe vijon të jetë në qendër të debatit.
Përfaqësuesit e VLEN-it e kanë paraqitur vendimin si një hap drejt realizimit të kësaj kërkese, duke pretenduar se ligji për dhënien e provimit në gjuhën shqipe ka marrë dritën e gjelbër.
Megjithatë, Ministria e Drejtësisë ka sqaruar se bëhet fjalë për marrjen e një vlerësimi ndërkombëtar mbi përputhshmërinë e modelit të propozuar me Kushtetutën dhe standardet europiane, dhe jo për miratimin përfundimtar të ligjit.
Sipas Ministrisë, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë takime me institucionet, partitë parlamentare, dekanët e pesë fakulteteve juridike dhe organizatat studentore. Gjithashtu, do të organizohen demonstrime praktike të pjesës me shkrim të provimit në Gjykatën e Apelit në Shkup dhe të pjesës me gojë në Ministrinë e Drejtësisë.
Zëvendëskryeministri Bekim Sali e cilësoi vendimin si një hap të rëndësishëm drejt realizimit të së drejtës së shqiptarëve për të dhënë provimin në gjuhën e tyre.
“Ligji për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po bëhet realitet! Sot, në seancën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ligjit iu dha drita e gjelbër! Pas 35 vitesh pritje, një e drejtë e merituar po bëhet realitet. E premtuam, punuam dhe po e realizojmë!”, shkroi Sali në Facebook.
Megjithatë, modeli i propozuar nga ministri i Drejtësisë, Shasivari, parashikon që pjesa me gojë e provimit të zhvillohet në gjuhën maqedonase, ndërsa pjesa me shkrim në gjuhën në të cilën kandidati ka studiuar.
Ky është edhe një nga kundërshtimet kryesore të studentëve shqiptarë, të cilët kërkojnë që provimi të zhvillohet 100% në gjuhën shqipe.
Studentët dhe fakultetet ku mësimi zhvillohet në shqip kanë kundërshtuar modelin e propozuar, ndërsa kanë paralajmëruar rikthimin në protesta nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen. Ndërkohë, pesë fakultete ku mësimi zhvillohet në gjuhë të tjera kanë kërkuar që provimi të mund të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, turke dhe angleze.
Ministri i Drejtësisë ka deklaruar më herët se synon të gjejë një zgjidhje përmes dialogut me studentët dhe fakultetet. Mendimi i Komisionit të Venecias pritet të shërbejë si një vlerësim për përputhshmërinë e ndryshimeve të propozuara me standardet europiane, ndërsa debati për zhvillimin e provimit tërësisht në shqip mbetet i hapur.
