NATO zhvillon stërvitje për gjuetinë e nëndetëseve në Detin Baltik

Tetë vende anëtare të NATO-s kanë nisur një stërvitje pesëditore për zbulimin dhe gjurmimin e nëndetëseve në Detin Baltik, në një kohë kur aleanca e konsideron sigurinë e kësaj zone si një nga prioritetet kryesore strategjike.
Stërvitja po zhvillohet në Suedi dhe do të zgjasë deri të premten, me pjesëmarrjen e forcave detare nga Britania e Madhe, Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda dhe Suedia.
Aktiviteti vjen në një periudhë kur Deti Baltik është kthyer në një arenë të rëndësishme të përballjes me kërcënimet hibride, për të cilat vendet perëndimore kanë akuzuar vazhdimisht Rusinë.
Në manovra marrin pjesë mijëra efektivë të marinës ushtarake, nëndetëse gjermane dhe suedeze, anije luftarake sipërfaqësore si dhe avionë patrullimi detar. Qëllimi kryesor i ushtrimit është rritja e aftësive për të zbuluar dhe ndjekur nëndetëset, të cilat konsiderohen ndër mjetet më të vështira për t’u identifikuar në operacionet ushtarake.
Sipas NATO-s, Baltiku paraqet sfida të veçanta për operacionet kundër nëndetëseve për shkak të ujërave relativisht të cekëta dhe trafikut të dendur detar, faktorë që e bëjnë më të vështirë zbulimin e sinjaleve akustike të mjeteve nënujore.
Komandanti i NATO-s për nëndetëset, kundëradmirali John Craddock, tha se nëndetëset mbeten një nga kërcënimet më serioze në mjedisin detar.
“Nëndetësja është e vetmja teknologji që aktualisht mund të dominojë hapësirën nënujore në mënyrë të vazhdueshme. Për këtë arsye është jetike të jemi në gjendje t’i zbulojmë dhe t’i gjurmojmë ato”, u shpreh ai.
Sipas Craddock, aftësitë për zbulimin e nëndetëseve kërkojnë trajnim të vazhdueshëm, pasi bëhet fjalë për një aftësi që mund të humbasë nëse nuk praktikohet rregullisht.
“Duhet të stërvitemi vazhdimisht. Derisa oqeanet të bëhen plotësisht transparente, nëndetëset do të përbëjnë një kërcënim të vazhdueshëm”, theksoi ai.
Nga ana tjetër, kundëradmirali i marinës franceze, Nicolas Molitor, paralajmëroi se rajoni i Baltikut përballet edhe me rreziqe të tjera ndaj infrastrukturës kritike nënujore.
Ai tha se rrjeti i gjerë i kabllove dhe tubacioneve në fundin e detit mund të rrezikohet jo vetëm nga nëndetëset, por edhe nga automjete apo robotë që operojnë nën ujë.
Molitor shtoi se edhe anijet sipërfaqësore mund të shkaktojnë dëmtime të konsiderueshme nëse spirancat e tyre zvarriten mbi shtratin e detit, duke prekur infrastrukturën strategjike që kalon nëpër Baltik.
Stërvitja konsiderohet pjesë e përpjekjeve të NATO-s për të forcuar sigurinë detare në rajon dhe për të mbrojtur infrastrukturën kritike nënujore mes tensioneve të vazhdueshme gjeopolitike në Evropën Veriore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



