Kombëtarja shqiptare zhvilloi pasditen e sotme një seancë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit” si pjesë e përgatitjeve për ndeshjet ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë. Sipas Departamentit të Komunikimit në FSHF, të gjithë lojtarët ishin në dispozicion të trajnerit Rolando Maran dhe zhvilluan stërvitjen me ngarkesë të plotë. Arbër Hoxha dhe Cristian Shpendi kryen stërvitje të diferencuar në fushë për të rikuperuar nga dëmtimet e pësuara pas goditjeve në ndeshjet e fundit me klubet e tyre; të dy pritet të bashkohen me grupin në seancën zyrtare të nesërme në prag të ndeshjes me Finlandën.
Seanca e sotme nisi me punë në palestër, ndërsa më pas trajneri Maran së bashku me staf punoi në disa situata loje dhe aspekte taktike. Trajnimi i sotëm zhvillohet në kuadrin e përgatitjeve të fundit për ndeshjen e radhës në UEFA Nations League.
Programi i ditës së nesërme parashikon seancën zyrtare stërvitore të kombëtares shqiptare në orën 11:00, ku 15 minutat e para do të jenë të hapura për mediat. Në orën 16:00 në stadium do të mbahet konferenca zyrtare për shtyp me trajnerin Rolando Maran dhe një lojtar. Sa i përket ekipit Finlandë, programi i tyre për ditën e nesërme parashikon konferencën zyrtare për media në orën 11:30, ndërsa në orën 12:30 do të zhvillojnë seancën zyrtare stërvitore në stadium.
Ndeshja Shqipëri–Finlandë, e vlefshme për UEFA Nations League, do të luhet të enjten në stadiumin “Air Albania” me nisje në orën 20:45. Organizatorët njoftojnë se stadiumi do të jetë i mbushur në kapacitet të plotë, pasi janë shitur të gjitha biletat për këtë sfidë.
