Institucionet e drejtësisë kanë paraqitur kërkesat dhe nevojat e tyre për buxhetin e vitit 2027 në Komisionin për Nismat Qytetare, të drejtuar nga Fatmir Xhafaj.
Ndërsa SPAK e konsideron buxhetin e parashikuar të mjaftueshëm për realizimin e objektivave, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë ngritur shqetësimin për mungesën e ambienteve të përshtatshme të punës dhe nevojën për investime në godina.
Prokurori i posaçëm Arben Shehu deklaroi se fondet e parashikuara për SPAK-un mbështesin objektivat e institucionit, të cilat lidhen kryesisht me hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.
“Në zbatim të rekomandimeve të Komisionit Europian, puna do të përqendrohet në hetimin e rasteve komplekse të korrupsionit, veçanërisht atij të nivelit të lartë dhe të krimit të organizuar, zhvillimin e hetimeve financiare paralele për identifikimin dhe sekuestrimin e produkteve të veprës penale. Përparësi do të kenë hetimet e rrjeteve kriminale që veprojnë në disa juridiksione, ndjekja penale e pastrimit të parave dhe gjurmimi i pasurive me burime kriminale brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh Shehu.
Një nga kërkesat shtesë të SPAK është punësimi i një psikologu institucional, i cili do të ofrojë mbështetje për hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas drejtorit të buxhetit në SPAK, Armand Shini, hetuesit përballen me presione psikologjike, kërcënime dhe ngarkesë të lartë pune.
“Psikologia institucionale është një kërkesë e shtuar, e cila është argumentuar me ndihmën që do të japë psikologu edhe për stafin e BKH-së, pasi stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore. Psikologu do të asistojë edhe në intervistat që do të bëjnë hetuesit, për dëshmitarët e rrezikuar, por edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë. Do të shërbejë edhe për procesin hetimor”, deklaroi Shini.
Ndryshe nga SPAK, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shprehur pakënaqësi për fondet e parashikuara, duke kërkuar më shumë financim për sigurinë dhe investimet në godinat e gjykatave. Kreu i KLGJ-së, Ilir Rusi, theksoi se edhe pas dhjetë vitesh reformë në drejtësi, mungojnë godinat e reja të dedikuara për gjykatat.
“Nuk kemi një godinë që të ketë përfunduar e destinuar si gjykatë. Ndaj kemi bërë kërkesa për godina. Dihet që është një projekt makro, një masterplan për të përqendruar të gjitha godinat e drejtësisë në një, por deri atëherë ne duhet të marrim masat tona, për godina të reja ose rikonstruksione të atyre që janë. Punonjësit e sigurisë nuk janë të mirëpaguar”, u shpreh Rusi.
Kërkesat e KLGJ-së sollën edhe një replikë nga kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, i cili tha: “U bënë shumë lekë që ju doni t’i merrni brenda natës”.
Shqetësime për kushtet infrastrukturore ngriti edhe Prokuroria e Përgjithshme. Zv.prokurori i Përgjithshëm, Arqilea Koça, tha se mungesa e ambienteve të përshtatshme në disa prokurori të vendit ka arritur në një nivel që po ndikon edhe në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
“Prej vitesh ngremë si shqetësim mungesën e ambienteve të punës te prokuroria e Tiranës, Durrësit, Fierit e Sarandës. Ka arritur në një pikë që cenohet edhe dhënia e shërbimeve”, deklaroi Koça.
Në përgjigje, Xhafaj iu referua situatës së godinës së Prokurorisë në Sarandë, duke thënë: “Katër dhëmballë të prishura, që ose duhen shkulur, ose rregulluar. Ndërkohë që ju flisni, më vjen ndërmend një zgjidhje për Sarandën, për t’ia propozuar qeverisë”.
Sipas projektbuxhetit për vitin 2027, SPAK parashikohet të ketë në dispozicion 2,32 miliardë lekë, Këshilli i Lartë Gjyqësor rreth 6,7 miliardë lekë, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme 3,4 miliardë lekë.
