Shqipëria regjistroi shtesë natyrore pozitive të popullsisë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, me 742 lindje më shumë se vdekje. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se në periudhën korrik-shtator erdhën në jetë 5.787 foshnja, ndërsa u regjistruan 5.045 vdekje.
Krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti, lindjet u rritën me 13,9%, ndërsa vdekjet me 3,7%. Megjithatë, në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2025, lindjet kanë shënuar rënie prej 10,5%, ndërsa vdekjet janë rritur me 0,4%.
Sipas INSTAT, vetëm pesë qarqe regjistruan shtesë natyrore pozitive, ndërsa në shtatë qarqet e tjera numri i vdekjeve ishte më i lartë se ai i lindjeve.
Tirana kryeson me diferencën më të madhe mes lindjeve dhe vdekjeve, duke regjistruar 1.380 lindje më shumë. Në krahun tjetër, Korça shënoi bilancin më negativ, me 220 vdekje më shumë se lindje.
Kryeqyteti mban gjithashtu vendin e parë për numrin e lindjeve, me 2.708 foshnja të regjistruara gjatë tremujorit të tretë. Numri më i ulët u shënua në Gjirokastër, me vetëm 66 lindje.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, lindjet u rritën vetëm në dy qarqe, ndërsa në dhjetë të tjerat pësuan rënie. Dibra regjistroi rritjen më të lartë, me 3,9%, ndërsa rënia më e fortë u shënua në Fier, ku lindjet u pakësuan me 20,1%.
Sa i përket vdekjeve, shtatë qarqe shënuan rritje dhe pesë të tjera ulje në raport me tremujorin e tretë të vitit 2025. Tirana regjistroi numrin më të lartë, me 1.328 vdekje, ndërsa Kukësi numrin më të ulët, me 118 raste.
Kukësi shënoi edhe rritjen më të madhe në përqindje të vdekjeve, me 15,7%, ndërsa Dibra regjistroi uljen më të theksuar, me 17,8%.
Të dhënat tregojnë se, pavarësisht bilancit pozitiv në shkallë vendi gjatë këtij tremujori, lindjet vijojnë të jenë më të ulëta se një vit më parë.


