Objektivat e Shqipërisë për anëtarësimin në BE? Rama: Ne do të bëjmë detyrat që na takojnë, të tjerat janë në dorë të vendeve anëtare

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë bashkëbisedimit në “Forumin e Paqes” në Paris se Shqipëria do të vijojë të punojë për t’u bërë pjesë e BE-së.
Sipas tij, Shqipëria do të punojë fort për përmbushjen e detyrave të shtëpisë, por mbetet në dorë të vendeve anëtare nëse vendi ynë do t’i bashkohet familjes evropiane apo jo.
Rama tha se Shqipëria do të mbyllë vitin e ardhshëm kapitujt e negociatave për të hapur më pas atë të anëtarësimit, por mbetet për t’u parë se ku do të jetë vetë BE-ja pas dy vitesh.
Pjesë nga biseda:
Pyetje: Ka një prirje të të rinjve për të emigruar.
Rama: Nuk do të thosha që është prirje në rritje, është pjesë e këtij rrugëtimi, shkon paralelisht me të. Ekonomia rritet, turizmi rritet, eksportet rriten, por edhe pritshmëritë rriten. Ajo me të cilën po përballemi është evoluimi i pritshmërive më të larta. Nuk jemi më vendi i 10 viteve më parë. 10 vite më parë do të shfaqeshim në shtypin francez shumë rrallë, sot jemi më aktivë, për plazhet apo si një vend shumë i mirë për t’u vizituar.
Pyetje: Çfarë mund t’u premtoni të rinjve lidhur me afatet e anëtarësimit?
Rama: Ju e dini më mirë, duke qenë se merreni me Evropën prej një kohe të gjatë dhe, siç po më thoshit më parë që keni shoqëruar legjendën e Evropës, e dini shumë më mirë që nuk mund të premtojmë asgjë për Evropën. Unë nuk premtoj dot gjëra që nuk varen prej meje.
Ajo që është e qartë, bazuar në raportin e fundit të progresit të KE-së, është se viti tjetër do të jetë viti kur do të punojmë me traktatin e anëtarësimit, çka nënkupton se jemi në fazën e fundit të negociatave. Do t’i mbyllim negociatat në fund të vitit të ardhshëm.
Por kjo do të varet se ku do të jetë BE-ja pas 2-3 vitesh. Ku do të jetë Franca vitin e ardhshëm, ju keni zgjedhje. Ne do të bëjmë punën tonë dhe do të presim.




