Hegseth e quan përpjekjen për shkarkimin e tij farsë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka cilësuar si “farsë” dhe “sabotim” përpjekjen për shkarkimin e tij përmes procedurës së shkarkimit, të iniciuar nga kongresisti republikan Thomas Massie.

Në konferencën e tij të parë për media pas gjashtë muajsh, të mbajtur në Pentagon, Hegseth ka mbrojtur veprimet ushtarake amerikane në Iran dhe Venezuelë, duke këmbëngulur se ato ishin të ligjshme dhe të urdhëruara nga presidenti Donald Trump.

“Ky nuk është patriotizëm. Ky është sabotim”, ka deklaruar Hegseth, duke iu referuar nismës për shkarkimin e tij.

Kongresisti republikan Thomas Massie paraqiti të hënën në Dhomën e Përfaqësuesve nenet e impeachment-it, duke e akuzuar Hegsethin për shkelje të Kushtetutës, pasi kishte nisur luftën kundër Iranit pa marrë miratimin e Kongresit.

Massie argumenton se ligji amerikan kërkon që ushtria të tërhiqet nga armiqësitë brenda 60 ditësh, nëse Kongresi nuk e autorizon ndërhyrjen. Sipas tij, lufta në Iran ka zgjatur tashmë 256 ditë.

Hegseth i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se të gjitha operacionet ushtarake amerikane në Iran dhe Venezuelë kanë qenë të ligjshme, të urdhëruara nga komandanti i përgjithshëm dhe të njoftuara në Kongres.

Përpjekja për shkarkimin e tij ka marrë mbështetje edhe nga disa demokratë, ndërsa disa republikanë kanë shprehur kundërshtimin e tyre.

Nënkryetari amerikan JD Vance e ka cilësuar nismën si “absurde”, duke thënë se procedura e shkarkimit është shndërruar në një shfaqje politike.

Edhe Trump ka dalë në mbrojtje të Hegsethit, duke vlerësuar performancën e tij me notën “A PLUS, PLUS, PLUS” dhe duke kritikuar kongresistin Massie.

Ndërkohë, senatori republikan Ted Cruz ka deklaruar se është “jashtëzakonisht e mundshme, nëse jo e sigurt”, që Dhoma e Përfaqësuesve të votojë për shkarkimin e Hegsethit. Ai ka thënë se sekretari ose do të japë dorëheqje, ose do të shkarkohet nga Trump.

Megjithatë, dënimi përfundimtar në Senat duket i pamundur, pasi për këtë nevojitet shumicë prej dy të tretash, ndërsa republikanët aktualisht mbajnë 53 nga 100 ulëset.

 

Shija e redaktorit

Presidenti kroat pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Kështu ka mësuar Dukagjini nga burimet e veta...

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

Të fundit nga rubrika