
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, mori pjesë në ceremoninë festive me rastin e 70-vjetorit të Gjimnazit “Aleksandër Moisiu” në Kavajë, shkollë ku ai ka qenë dikur nxënës. Përmes një postimi në rrjete sociale, Bardhi shprehu emocionet e veçanta të rikthimit në shkollën që, siç theksoi, përfaqëson shumë më tepër se një pjesë të formimit të tij akademik. Aty lidhen kujtimet e rinisë, miqësitë, respekti për mësuesit dhe lidhja e veçantë me qytetin e tij të lindjes, Kavajën.
Postimi i plotë
Në 70-vjetorin e Gjimnazit “Aleksandër Moisiu”, Kavajë! E pranova me shumë kënaqësi ftesën për të qenë pjesë e festimeve me rastin e 70-vjetorit të gjimnazit tim. Një ditë e veçantë, që më dha mundësinë të rikthehesha në një vend ku nuk kam lënë vetëm një pjesë të viteve të mia më të bukura, por edhe shumë kujtime, emocione dhe njerëz që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën time.
Me Gjimnazin “Aleksandër Moisiu” më lidh më shumë se fakti që kam qenë nxënës i tij. Më lidhin tri gjëra shumë të rëndësishme, që janë pjesë e identitetit tim: Së pari, qyteti im, Kavaja. Një qytet që për mua është një thesar vlerash, kujtimesh dhe emocionesh. Një qytet që mbart në vetvete traditën e mikpritjes së rrallë, qytetarinë dhe fisnikërinë që përcillen brez pas brezi. Një qytet ku rrënjët nuk harrohen kurrë, pavarësisht se ku të çon jeta.
Së dyti, familja ime. Në këtë gjimnaz ka dhënë mësim për 31 vjet xhaxhai im, Naim Bardhi, “Mësues i merituar” dhe “Qytetar Nderi” i Kavajes! Krenarinë për të e kam ndjerë veçanërisht sa herë që mësuesit e mi flisnin për të me respekt dhe vlerësim të jashtëzakonshëm. Emri i mirë që ai kishte lënë në këtë shkollë ishte një trashëgimi e çmuar, por edhe një përgjegjësi e heshtur që e kam ndjerë gjatë gjithë viteve të mia si nxënës aty. Ishte një krenari e veçantë të mbartja atë mbiemër në një vend ku ai kishte lënë kaq shumë respekt e kujtime të mira.
Së treti, miqtë e mi. Dy kategori njerëzish të çmuar, që i ruaj me shumë dashuri në kujtesën dhe zemrën time. Nga njëra anë, mësuesit e mi, të cilëve u jam thellësisht mirënjohës. Ata nuk kanë kontribuar vetëm në formimin tim akademik, por mbi të gjitha në formimin tim njerëzor. Më kanë përcjellë dije, vlera, mirësi dhe shembuj që kanë mbetur me mua gjatë gjithë jetës. Respekti dhe mirënjohja për ta nuk zbehen kurrë. U lumturova pa masë që pata mundësinë t’i përqafoja përsëri në oborrin e shkollës, ku ata kontribuuan në formësimin tim si njeri.
Nga ana tjetër, shoqet dhe shokët e klasës dhe të brezit tim, me të cilët ndaj kujtimet më të bukura të atyre viteve. Ndihem vërtet krenar për rrugëtimin që secili prej tyre ka bërë në jetë, për arritjet dhe kontributin e tyre. Një emocion më vete ishte të takoja sot disa prej shokëve dhe shoqeve të mia, të cilët tashmë janë vetë mësues në gjimnazin ku dikur ishim bashkë nxënës. Sa bukur është të shohësh se si koha kalon, rolet ndryshojnë, por lidhjet dhe dashuria për shkollën mbeten!
Në përfundim, shpreh falënderimet dhe mirënjohjen time për organizatorët, autorin e librit “Troket peizazhi i 70-vjetorit…”, z. Hasan Korbi, Bordin Organizativ të kësaj ceremonie, si dhe Bashkinë Kavajë, me kryetar z. Fisnik Qosja, për mbështetjen dhe kontributin e tyre në realizimin e këtij aktiviteti. Dua t’i uroj Gjimnazit “Aleksandër Moisiu” edhe shumë e shumë vite të tjera suksesi, duke vazhduar të jetë një vatër e dijes, edukimit dhe formimit të brezave të rinj. Suksese të veçanta mësuesve, nxënësve dhe, mbi të gjitha, maturantëve të këtij viti! Uroj që ky të jetë një vit i mbarë për ta, për të arritur më të mirën në jetën e tyre. Ka vende ku thjesht ke studiuar dhe ka vende ku ke lënë një pjesë të vetes. Për mua, Gjimnazi “Aleksandër Moisiu” është padyshim një prej tyre. Gëzuar 70-vjetorin!
