
Një shtetas shqiptar 39-vjeçar është vrarë me armë zjarri në një lokal në Orihuela Costa të Spanjës. Autor i dyshuar i krimit është një person, i cili pasi qëlloi për vdekje shqiptarin në tarracën e lokalit, u largua nga vendngjarja me monopatinë elektrike.
Mediat spanjolle shkruajnë se, ngjarja e rëndë ndodhi pak para orës 13:00, në kompleksin sportiv dhe argëtues Playa Flamenca Sport Club, në rrugën Nicolas de Bussi, në zonën Playa Flamenca.
Viktima ishte ulur në tarracën e një lokali brenda kompleksit, kur një person iu afrua dhe e qëlloi disa herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Pas atentatit, autori u largua me monopatinë elektrike. Dëshmitarët njoftuan autoritetet, ndërsa në vendngjarje mbërritën efektivët e Gardës Civile spanjolle.