Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë testi themelor për demokracinë në Serbi, duke shprehur shpresën se pushteti i ri në Beograd do ta pranojë realitetin dhe do të angazhohet për marrëdhënie të normalizuara me Kosovën.
Në një intervistë për Radio France Internationale (RFI), Kurti ka folur për pritjet nga Lista Studentore, e cila fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi, duke thënë se ende nuk është e qartë se cilat janë orientimet dhe qëndrimet e saj politike.
“Besoj se është pikërisht njohja e pavarësisë së Kosovës ajo që do të jetë testi themelor i demokracisë në Serbi. Një Serbi demokratike do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ne e dimë nga historia dhe përvoja se demokracitë nuk janë përgjithmonë në konflikt me njëra-tjetrën, por bashkëpunojnë përmes dialogut, në interesin e tyre të përbashkët”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se Kosova ka vullnet dhe interes për marrëdhënie të qeta me Serbinë, por ka theksuar se mbetet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë Lista Studentore pasi ta formojë qeverinë.
“Shpresoj që ata ta pranojnë realitetin dhe të vërtetën. Ta njohin Kosovën dhe ta kuptojnë se nuk ka kthim prapa dhe se ecja përpara nënkupton anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Kurti.
Gjatë intervistës, kryeministri ka folur edhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke thënë se vendi ka pritur që ky proces të përparojë më shpejt.
Ai ka rikujtuar se në dhjetor bëhen katër vjet nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa ka theksuar se Kosova ende nuk e ka marrë statusin zyrtar të vendit kandidat.
“Jemi i vetmi vend ndër kandidatët që nuk e ka statusin zyrtar të kandidatit. Dëshirojmë që negociatat të hapen sa më shpejt, për t’i përshpejtuar reformat në vendin tonë. Jo vetëm për të përfituar nga Bashkimi Evropian, por mbi të gjitha për të kontribuar në të”, ka thënë Kurti.
Ai ka vlerësuar se Kosova ka shënuar rezultate në fushën e sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në transparencën institucionale.
“Në Ballkanin Perëndimor, Kosova renditet në vendin e parë ose të dytë sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, sundimit të ligjit dhe krijimit të institucioneve transparente. Ndërsa, sa i përket përparimit ekonomik, kemi arritur rritje prej 4 për qind për disa vite me radhë”, ka deklaruar ai.
Kurti ka thënë se Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar nga Bashkimi Evropian, por njohjen e përparimit të arritur dhe përshpejtimin e procesit të integrimit.
Në intervistë, ai është pyetur edhe për shqetësimet e Kombeve të Bashkuara lidhur me tensionet në veri të Kosovës dhe sigurinë e komunitetit serb.
Kurti ka deklaruar se tensionet kanë qenë më të shumta në të kaluarën dhe se, sipas tij, ato kanë ardhur duke u zvogëluar.
“Nuk ka më tensione të shkaktuara nga serbët në Kosovë. Ato mund të nxiten nga elementë të shtetit serb që janë të pranishëm në Kosovë, por kjo ndodh gjithnjë e më rrallë”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për ruajtjen e karakterit shumëetnik të shoqërisë dhe zbatimin e barabartë të sundimit të ligjit për të gjithë qytetarët.
Kurti ka folur edhe për periudhën e jostabilitetit politik në Kosovë, duke rikujtuar se vendi ka mbajtur tri palë zgjedhje parlamentare brenda më pak se një viti e gjysmë.
Sipas tij, pas zgjedhjeve të fundit janë konstituuar Kuvendi, është formuar Qeveria dhe është zgjedhur presidentja, duke i dhënë fund bllokadës institucionale.
“Paparashikueshmëria në Kosovë ka përfunduar. Kjo ka marrë fund. Kemi stabilitet të plotë institucional për katër vjet”, ka deklaruar Kurti.