NNjë shqiptar 39-vjeçar është vrarë me armë zjarri në një lokal në Orihuela Costa të Spanjës. Ngjarja e rëndë ndodhi pak para orës 13:00, në kompleksin sportiv dhe argëtues Playa Flamenca Sport Club, në rrugën Nicolas de Bussi, në zonën Playa Flamenca.
Viktima ishte ulur në tarracën e një lokali brenda kompleksit, kur një person iu afrua dhe e qëlloi disa herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Pas atentatit, autori u largua me monopatinë elektrike, shkruajnë mediat spanjolle.
Dëshmitarët njoftuan autoritetet, ndërsa në vendngjarje mbërritën efektivët e Gardës Civile spanjolle. Garda Civile ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa nuk përjashtohet pista e një larjeje hesapesh.
Trupi i viktimës mbeti pranë tarracës së lokalit, deri në mbërritjen e autoriteteve gjyqësore, të cilat urdhëruan transportimin e tij në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Alicante. Autopsia pritet të kryhet të mërkurën, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ekzekutimit dhe për të identifikuar autorin.
