Raporti i INSTAT për tremujorin e tretë 2026: Shtesa natyrore e popullsisë mbetet pozitive, Tirana me rritjen më të lartë, Korça me nivelin më të ulët

Sociale | 1 minutë më parë

Agjencia e Statistikave (INSTAT) ka publikuar raportin mbi treguesit demografikë për tremujorin e tretë të vitit 2026. Sipas të dhënave paraprake, shtesa natyrore e popullsisë në Shqipëri ka rezultuar pozitive, duke regjistruar “742 lindje më shumë se vdekje” gjatë kësaj periudhe.

Lidhur me lëvizjet e lindshmërisë, gjatë tremujorit të tretë 2026 u regjistruan gjithsej 5,787 lindje. Kjo shifër shënon një rritje prej rreth 13.9% në krahasim me tremujorin e dytë të të njëjtit vit, por përbën “një rënie me 10.5%, krahasuar me tremujorin e tretë 2025”. Nga ana tjetër, numri i vdekjeve arriti në 5,045 raste, duke pësuar një rritje prej 3.7% krahasuar me tremujorin e dytë 2026 dhe një rritje me 0.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në nivel territorial, ecuria demografike paraqitet me diferenca të ndjeshme mes qarqeve. Gjatë këtij tremujori, pesë qarqe të vendit regjistruan shtesë natyrore pozitive, ndërsa në shtatë qarqe të tjera ky tregues rezultoi negativ. Sipas raportit, “qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 1.380 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 220 vdekje më shumë sesa lindje”.

Lindjet

Tirana mban numrin më të lartë me 2,708 lindje, ndërsa Gjirokastra renditet e fundit me 66 lindje. Qarku i Dibrës shënoi rritjen më të lartë vjetore të lindjeve me 3.9%, ndërsa rënien më të theksuar e regjistroi Fieri me 20.1%.

Vdekjet

Numri më i lartë i humbjeve të jetës u regjistrua në Tiranë me 1,328 raste, ndërsa Kukësi shënoi numrin më të ulët me 118 raste. Qarku i Kukësit regjistroi gjithashtu rritjen më të lartë në përqindje të vdekshmërisë me 15.7%, ndërsa Dibra shënoi uljen më të madhe me 17.8% krahasuar me T3 2025.

INSTAT sqaron në shënimet metodologjike se të dhënat bazohen në regjistrimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe përfshijnë vetëm lindjet dhe vdekjet e banuesve rezidentë në Shqipëri, duke përjashtuar nga llogaritja emigrantët që jetojnë jashtë vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme