Komediani britanik dhe autor i njohur i librave për fëmijë, David Walliams, është akuzuar nga disa gra për ngacmim seksual dhe sjellje të papërshtatshme, përfshirë pretendime për marrëdhënie me vajza të mitura. Akuzat u bënë publike pas një hetimi të përbashkët të “The Guardian” dhe ITV News, që mbledhën dëshmi nga 30 persona për ngjarje që datojnë që nga viti 2003. Disa dëshmitare thonë se Walliams ka shfrytëzuar famën për të krijuar marrëdhënie seksuale me vajza të reja; dy prej tyre deklarojnë se ai i kishte kontaktuar kur ishin vetëm 15 vjeçe. Një grua e identifikuar si Alex tregon se e takoi në një aktivitet promovimi libri dhe pas dy vitesh telefonatash dhe emaile pati marrëdhënie seksuale me të kur ishte 17 vjeçe.
Walliams, 55 vjeç, mohon se ka shkelur ligjin, por pranon se ka pasur sjellje të papërshtatshme ndaj disa personave me të cilët ka pasur marrëdhënie seksuale rastësore. Në një deklaratë të cituar nga The Guardian, ai tha: “Unë nuk jam një grabitqar seksual. Nuk kam shkelur asnjë ligj”. Publikimi i akuzave ka pasur pasoja profesionale: përfaqësuesi i tij letrar ka ndalur bashkëpunimin, BBC ka njoftuar se do të tërheqë disa programe të lidhura me autorin nga platformat, përfshirë serialin “Little Britain”, ndërsa HarperCollins kishte vendosur që në dhjetor 2025 të ndalonte botimin e veprave të tij pas akuzave për sjellje të papërshtatshme brenda kompanisë.
Walliams është një prej autorëve më të suksesshëm britanikë për fëmijë dhe të rinj, me mbi 60 milionë kopje të shitur dhe përshtatje televizive të disa veprave, si “Djali me fustan” dhe “Mr Stink”. Ai tentoi të pengonte publikimin e emrit të tij në kuadër të hetimit përmes një kërkese në gjykatë, por Gjykata e Lartë e rrëzoi atë. Sipas avokates së tij, Walliams ka kaluar një periudhë të vështirë shëndetësore, me dy tentativa vetëvrasjeje dhe shtrim në spital psikiatrik. Reputacioni i tij ishte dëmtuar edhe më parë në 2022, kur një hetim i “The Guardian” publikoi komente me përmbajtje seksuale që ai kishte bërë gjatë kohës si anëtar jurie në “Britain’s Got Talent”.

