I dyshuar për spiunazh në favor të Rusisë, arrestohet në Angli ushtari amerikan

Një anëtar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara u arrestua të martën në Angli me dyshimin për veprimtari spiunazhi të lidhur me Rusinë. Aksioni u krye nga policia antiterroriste britanike në qarkun e Gloucestershire, rreth 140 kilometra në perëndim të Londrës.
Sipas njoftimit të Policisë Metropolitane, 41-vjeçari, emri i të cilit nuk është bërë ende i ditur, u ndalua me dyshimin për shkelje të dy neneve të Aktit të Sigurisë Kombëtare 2023. Akuza bazohet në dhënien e ndihmës ndaj një shërbimi të inteligjencës së huaj si dhe marrjen apo zbulimin e paautorizuar të informacionit të mbrojtur.
Policia britanike sqaroi se forcat e saj të kundërterrorizmit kanë bashkëpunuar ngushtë me FBI-në dhe ushtrinë amerikane gjatë zhvillimit të hetimeve.
Lidhur me ngjarjen reagoi edhe Drejtori i FBI-së, Kash Patel, i cili e cilësoi aksionin si një “arrestim të rëndësishëm” që lidhet me akuza spiunazhi “të cilat janë shqetësuese për SHBA-në dhe aleatët e saj”. Drejtuesi i hetuesisë federale nënvizoi se “kjo FBI nuk ka tolerancë për askënd që thyen betimin ndaj Shteteve të Bashkuara dhe veprimet e të cilit rrezikojnë sigurinë tonë kombëtare dhe atë të partnerëve tanë”.
I dyshuari u dërgua në paraburgim në një stacion policor në Londër, ndërkohë që agjentët e sigurisë vazhdojnë kontrollet në dy lokacione në zonën e Gloucestershire.




