Kompania serbe, Grindex, ka furnizuar me makineri kompani ruse në vitet pas pushtimit rus të Ukrainës, të cilat më pas i kanë përcjellë ato tek ndërmarrje të industrisë ushtarake ruse që janë nën sanksione, mëson Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL).
Të dhënat e siguruara nga REL-i tregojnë se prodhuesi i makinerive për përpunimin e metaleve nga Kikinda, në veri të Serbisë, pas vitit 2022 ka vazhduar eksportimin e pajisjeve në Rusi përmes kompanive ndërmjetëse, disa prej të cilave janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Nga marsi i vitit 2022 deri në mars të vitit 2025, në Rusi janë importuar makineri të prodhuesit Grindex, në vlerë prej rreth 27.5 milionë eurosh, tregojnë të dhënat e Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës (HUR), të cilat i ka siguruar projekti hulumtues i Shërbimit ukrainas të REL-it, Schemes.
REL-i i ka marrë këto të dhëna nga HUR-i, pasi Grindex ishte përfshirë në bazën e tyre publike të të dhënave për kompanitë që furnizojnë me pajisje industrinë ushtarake të Rusisë.
Këtë e konfirmon edhe analiza e raporteve financiare dhe e bazave të të dhënave, e realizuar nga Systema, njësia hulumtuese e Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë.
Grindex nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me eksportimin e makinerive në Rusi. Përgjigje nuk dhanë as kompanitë ruse që i kishin blerë ato.
Sipas HUR-it, aktualisht nuk dihen rrugët përmes të cilave janë dërguar makineritë e Grindexit, kompani që nuk është nën sanksionet e SHBA-së dhe BE-së.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, SHBA-ja dhe BE-ja kanë vendosur sanksione ndaj qindra kompanive të kompleksit ushtarako-industrial të Rusisë.
Serbia është një nga vendet e pakta kandidate për anëtarësim në BE që nuk iu është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.
Kjo e lehtëson tregtinë me kompanitë ruse, vlerëson Ela Skybenko, hulumtuese e lartë për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në Qendrën Ndërkombëtare për Biznes dhe të Drejtat e Njeriut.
“Megjithatë, Serbia ende ka ligje për kontrollin e eksporteve, përfshirë kontrollin e mallrave për përdorim të dyfishtë. Pra, kjo nuk do të thotë se i gjithë eksporti në Rusi është i lejuar”, thotë Skybenko për REL-in.
Në vitin 2025, Serbia miratoi një ligj të ri që kufizon eksportin e mallrave për përdorim të dyfishtë, pra pajisjeve që mund të përdoren si për qëllime civile, ashtu edhe për ato ushtarake.
Megjithatë, Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme e Serbisë, e cila lëshon lejet për eksportimin e mallrave për përdorim të dyfishtë, i tha REL-it se nuk i kishte lëshuar leje të tillë kompanisë Grindex.
“Ministria nuk është e njoftuar me programin e prodhimit dhe karakteristikat e produkteve të kompanisë Grindex”, thuhet në përgjigjen e saj.
Ministria shtoi se “nuk posedon të dhëna mbi bazën e të cilave do të mund të përcaktohej nëse makineritë janë objekt i kontrollit dhe nëse për to ekzistojnë kufizime eksporti”.
Ndërkaq, Administrata Doganore i tha REL-it se nuk kishte kryer asnjë “kontroll të mëvonshëm” të eksporteve të kompanisë Grindex.
Nga veriu i Serbisë drejt industrisë ushtarake ruse
Njëra prej kompanive ndërmjetëse që Grindex i ka furnizuar me makineri është Alfa Machinery Group, apo AMG, kompani ruse që merret me furnizimin e fabrikave me pajisje dhe makineri për përpunimin e metaleve.
AMG-ja u përfshi në listën e sanksioneve amerikane në vitin 2023, për shkak se furnizonte me pajisje industrinë ruse të mbrojtjes.
Ajo është në listën e sanksioneve të BE-së që nga dhjetori i vitit 2024, për shkak të mbështetjes që i ofron kompleksit ushtarako-industrial rus në luftën kundër Ukrainës.
Shërbimi i Inteligjencës së Ukrainës thekson se Grindex e kishte lidhur një kontratë me AMG-në në dhjetor të vitit 2022 për furnizimin me një makinë bluarëse CNC, ndërsa dorëzimi i makinerisë ishte bërë në kohën kur AMG-ja ishte tashmë nën sanksionet amerikane.
CNC-ja është një pajisje për bluarjen e materialeve, e cila kontrollohet përmes kompjuterit. Sipas të dhënave doganore, vlera e kësaj makinerie të eksportuar ishte rreth 778 mijë euro.
Sipas informacioneve të shërbimit ukrainas, AMG-ja më pas ia dorëzoi këtë makineri Ndërmarrjes së Makinerisë dhe Prodhimit, I. Rumjantsev, e cila prodhon pjesë për aeroplanë.
Kjo ndërmarrje është pjesë e sistemit shtetëror industrial rus, Rostec, i cili prodhon pajisje për aviacionin ushtarak dhe atë civil. Rostec është nën sanksionet amerikane që nga viti 2014, për shkak të asaj që Qeveria amerikane e kishte cilësuar si “përpjekje të vazhdueshme të Rusisë për të destabilizuar Ukrainën Lindore”. Kompania u sanksionua sërish në vitin 2022, kur u përfshi edhe në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian.
Në dokumentin e Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) të SHBA-së, Rostec cilësohet si “gur themeli i sektorit rus të mbrojtjes, industrisë, teknologjisë dhe prodhimit”.
Shërbimi ukrainas evidenton edhe një kontratë tjetër të Grindexit me kompaninë AMG, të lidhur në vitin 2023, për furnizimin me një makinë CNC, e cila më pas përfundoi sërish në duart e Rostecut.
“Vlera e makinerisë është më shumë se 384 mijë dollarë amerikanë (342 mijë euro). Vendi nga ku u nis pajisja ishte qyteti i Kikindës në Serbi”, thuhet në dokumentin e parë nga REL-i.
Sipas të njëjtit dokument, makineria u importua në shkurt të vitit 2025, ndërsa vetëm dy muaj më vonë AMG-ja ia dorëzoi Ndërmarrjes së Agregateve Ufa, Hidraulika, e cila gjithashtu është pjesë e Rostecut të sanksionuar dhe prodhon pjesë për aviacionin.
Edhe vetë Hidraulika është në listën e sanksioneve të BE-së që nga viti 2025. Në arsyetimin për vendosjen e sanksioneve, ndër të tjera, thuhet se ajo i ofron mbështetje materiale ushtrisë ruse në frontin e luftës në Ukrainë. Mes tjerash, punëtorët e kompanisë prodhojnë rrjeta kamuflimi për ushtrinë ruse.
“Detyra kryesore e makinerisë së furnizuar nga Grindex është prodhimi i pjesëve të llojit piston, elemente të rëndësishme lëvizëse të sistemeve hidraulike dhe të karburantit me saktësi të lartë”, thuhet në përgjigjen e shërbimit ukrainas.
Bashkëpunimin mes kompanive AMG dhe Grindex e dëshmojnë edhe raportet financiare të siguruara nga baza ruse e të dhënave për subjektet afariste. Ndërkaq, lidhjet mes AMG-së dhe Rostecut, si dhe mundësia e një lidhjeje pronësore mes tyre, pasqyrohen në të dhënat e disponueshme.
Në raportin financiar të vitit 2023, AMG e kishte përmendur Grindexin si një nga furnizuesit e saj. Ndërkaq, në mesin e blerësve të saj ishin disa kompani që janë pjesë e Rostecut.
Në fund të vitit 2023, pronari përfundimtar i AMG-së ishte Jevgenij Karpov, ish-punonjës i një prej kompanive të Rostecut, fabrikës së motorëve Salyut.
Që nga viti 2023, AMG-ja ka paraqitur çdo vit deklarata importi për makineritë e Grindexit. Deklarata e fundit është paraqitur në maj të vitit 2026. Megjithatë, REL-i nuk ka informacione nëse makineria është importuar vërtet.
Bashkëpunim shumëvjeçar edhe me kompani nën sanksione
Produktet e Grindexit nga Serbia janë importuar edhe nga dy kompani të tjera që janë nën sanksionet amerikane, thuhet në dokumentin e shërbimit ukrainas.
Njëra prej tyre është Finval Energo, e cila merret me shitjen me shumicë të makinerive industriale. Ajo është në listën e sanksioneve amerikane që nga viti 2024, për shkak të veprimtarisë së saj në sektorin e prodhimit rus. Në njoftimin e Departamentit amerikan të Thesarit thuhet se Finval bashkëpunon me prodhues rusë të armëve.
Sipas shërbimit ukrainas, kjo kompani ka importuar makineri të Grindexit në vlerë prej rreth 12 milionë eurosh gjatë periudhës 2022–2025. Megjithatë, nuk është specifikuar se për cilat makineri bëhet fjalë dhe as se kujt i janë dorëzuar ato më pas. REL-i nuk ka informacione të pavarura që konfirmojnë nëse Grindex ka vazhduar bashkëpunimin me Finval Energo pas vendosjes së sanksioneve.
Që nga viti 2016, Finval Energo ka paraqitur çdo vit deklarata importi për makineritë e Grindexit. Deklaratat më të fundit janë paraqitur gjatë periudhës 2023–2024.
Finval Energo është pjesë e Grupit Finval, i themeluar në vitin 1991. Në mesin e klientëve të tij janë edhe kompani të industrisë së mbrojtjes, përfshirë prodhues të motorëve të aeroplanëve që veprojnë në kuadër të Rostecut, tregojnë raportet publike.
Bashkëpunimi i Grindexit me këtë kompani ka nisur shumë vite më parë. Ekspertët e kompanisë Finval e vizituan fabrikën e Grindexit në Serbi në vitin 2018, siç ishte bërë e ditur në ueb-faqen e Finvalit.
Me Grindexin bashkëpunon edhe kompania e sanksionuar Unimatik MSK, e cila gjithashtu furnizon me makineri industriale. Ajo është në listën e sanksioneve amerikane që nga viti 2024, për shkak të bashkëpunimit me sektorin ushtarako-industrial rus.
Pronari i saj, kompania Unimatic, është në listën e sanksioneve të BE-së që nga viti 2026, për shkak të “mbështetjes materiale për kompleksin ushtarako-industrial rus”.
Në dokumentin e BE-së thuhet se kjo kompani furnizon ndërmarrjet ruse të mbrojtjes me produkte, përfshirë edhe përmes filialit të saj Unimatik MSK.
Sipas të dhënave të shërbimit ukrainas, Unimatik MSK ka importuar makineri të Grindexit në vlerë prej rreth 980 mijë eurosh nga viti 2022 deri në vitin 2024. Megjithatë, nuk është specifikuar se kujt i janë dorëzuar ato më pas dhe për çfarë lloj makinerish bëhet fjalë.
REL-i nuk ka informacione të pavarura që konfirmojnë nëse Grindex ka vazhduar bashkëpunimin me subjekte të lidhura me Unimaticun pas vendosjes së sanksioneve.
Sipas ueb-faqes zyrtare ruse për prokurimin publik, në mesin e blerësve shtetërorë të makinerive të kompanisë Unimatic kanë qenë edhe kompani ruse të industrisë së mbrojtjes, përfshirë ndërmarrje që janë pjesë e Rostecut.
Një version i arkivuar i ueb-faqes së Unimaticut tregon se në shtator të vitit 2023, Grindex ishte përfshirë në mesin e partnerëve të kësaj kompanie. Megjithatë, lista e partnerëve është ndryshuar më vonë dhe Grindex është në mesin e kompanive që janë hequr prej saj.
Edhe me këtë kompani Grindex ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë. Të dhënat publike tregojnë se që nga viti 2019, Unimatic ka paraqitur deklarata importi për produktet e saj.
Makineritë e Grindexit në Rusi përmes kompanive që s’janë nën sanksione
Makineritë e kompanisë serbe Grindex kanë gjetur edhe rrugë të tjera për të përfunduar në industrinë ushtarake ruse.
Nga shërbimi ukrainas thonë se Grindex ka furnizuar me makineri kompani ruse që nuk janë nën sanksionet perëndimore, por se këto makineri në fund kanë përfunduar sërish në ndërmarrje të sanksionuara ruse të sektorit të mbrojtjes.
Njëra prej këtyre kompanive është Krona, pronare shumicë e kompanisë Krona Oprema, e cila furnizon me makineri industriale fabrikat ruse. Kjo kompani nuk është nën sanksione.
Kështu, sipas të dhënave të shërbimit ukrainas, në vitin 2024 Krona ia dorëzoi një makinë bluarëse të prodhuar nga Grindex Korporatës Shkencore dhe Prodhuese Byroja Projektuese e Makinerive, një ndërmarrje që gjithashtu është pjesë e Rostecut të sanksionuar.
Edhe vetë kjo ndërmarrje është nën sanksionet e SHBA-së dhe BE-së. Ajo prodhon sisteme raketore dhe armatime të tjera, përfshirë raketën balistike me rreze të shkurtër veprimi, Iskander-M.
Sipas një hulumtimi të mediumit rus The Insider, të publikuar në dhjetor të vitit 2023, Krona blinte makineri nga kompania Grindex. Kompania nuk e fsheh këtë bashkëpunim dhe në katalogun e saj përmend shprehimisht pajisjet e prodhuara nga Grindex.
Një makineri tjetër e Grindexit është importuar, sipas të dhënave të shërbimit ukrainas, përmes sipërmarrësit individual Denis Sergejevic Babichev nga Moska.
Sipas dokumenteve të rrjedhura nga institucionet shtetërore ruse, përfshirë autoritetet tatimore dhe Departamentin e Shëndetësisë së Moskës, ky moskovit 30-vjeçar kishte punuar si ndihmës montues në vitin 2017, ndërsa nga viti 2021 deri në vitin 2023 kishte punuar si korrier.
Ai u regjistrua si sipërmarrës individual në vitin 2020, ndërsa gjatë vitit 2023 filloi të paraqiste deklarata importi për veshje dhe produkte kozmetike. Një vit më vonë, gama e mallrave u zgjerua ndjeshëm dhe filloi të përfshinte edhe makineri e pajisje.
Deri më sot, në emrin e tij janë deklaruar afro 2.000 lloje të ndryshme produktesh, nga duhani për nargjile deri te ekskavatorët.
Sipas të dhënave të shërbimit ukrainas, ai importoi një makinë bluarëse të Grindexit, e cila më pas, në vitin 2025, iu dha me qira kompanisë Ndërmarrja Shkencore dhe Prodhuese e Permit për Prodhimin e Pajisjeve Matëse dhe Naviguese. Kjo kompani prodhon sisteme navigimi, kontrolli dhe stabilizimi për mjetet fluturuese në Rusi.
Kompania është nën sanksionet amerikane që nga viti 2016 dhe u sanksionua sërish në vitin 2024. Si arsye për vendosjen e sanksioneve në vitin 2024, autoritetet amerikane përmendën prodhimin e sistemeve për avionë ushtarakë, përfshirë aeroplanët MiG-29 dhe Sukhoi-27.
Në bazat publike të të dhënave shihet gjithashtu se Babichev në prill të vitit 2025 kishte paraqitur një deklaratë importi për makineri të kompanisë Grindex.
Çfarë dihet për kompaninë Grindex?
Grindex, me seli në Kikinda, në veri të Serbisë, u themelua në vitin 2003, pas ndarjes nga ndërmarrja Livnica Kikinda. Ajo ka rreth 250 punonjës.
Kompania prodhon makineri për përpunimin e metaleve, konkretisht makina bluarëse me kontroll kompjuterik, të cilat përdoren në segmente të ndryshme të industrisë së makinerive.
Në vitet 2021 dhe 2022, kompania kishte regjistruar humbje, ndërsa nga viti 2023 filloi të korrte fitime. Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Serbisë, fitimi i saj është rritur nga viti në vit që nga viti 2023.
Pothuajse të gjitha të ardhurat kompania i realizon nga shitjet jashtë vendit, tregojnë raportet e saj financiare. Kështu, në vitin 2025, të ardhurat nga shitjet në tregun e brendshëm përbënin vetëm një për qind të të ardhurave nga shitjet në tregjet e huaja. Megjithatë, në raportin financiar nuk specifikohet se cilave kompani ua shet produktet.
Në një raport të Radiotelevizionit të Serbisë për Grindexin, të transmetuar në vitin 2015, thuhet se i gjithë prodhimi i kompanisë eksportohet në Federatën Ruse.
Dhoma Ekonomike e Serbisë i ndau në vitin 2022 një pllakë mirënjohjeje për sukses në biznes pronarit të Grindexit, Jovan Bulatoviq. Me këtë rast, Bulatoviq deklaroi për portalin e Kikindës, Gradski.online, se veprimtaria e kompanisë ishte vështirësuar gjatë pandemisë së koronavirusit në vitin 2020 dhe se situatën e kishte rënduar edhe më shumë lufta në Ukrainë.
“Ka probleme edhe me dërgimin e produkteve tona të gatshme”, tha Bulatoviq.
“Anashkalimi i sanksioneve” përmes Serbisë
REL-i nuk mori përgjigje nga Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme e Serbisë lidhur me faktin nëse dhe në çfarë mënyre kufizohet eksporti i mallrave të destinuara për sektorin rus të mbrojtjes.
Pas pushtimit të Ukrainës, disa kompani nga Serbia janë përfshirë në listat e sanksioneve, për shkak se mundësojnë furnizimin e industrisë ushtarake ruse me pajisje.
Një hulumtim i mëparshëm i REL-it, i publikuar në vitin 2023, tregoi se që nga fillimi i pushtimit, përmes kompanive serbe në Rusi ishin eksportuar të ashtuquajturat mallra për përdorim të dyfishtë, në vlerë prej të paktën 71.1 milionë dollarësh (63.5 milionë euro).
Bëhet fjalë për mallra që janë përfshirë në listën e produkteve me rrezikshmëri të lartë dhe që janë objekt i sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Rusisë.
Tihomira Kostova, hulumtuese në Qendrën Bullgare për Studimin e Demokracisë, i tha REL-it se, sipas gjetjeve të kësaj organizate, eksporti serb i mallrave për përdorim të dyfishtë në Rusi ishte rritur për 220 për qind në vitin 2022, krahasuar me nivelin e para luftës.
Megjithatë, autoritetet serbe kanë deklaruar më herët në disa raste se Serbia nuk do të jetë platformë për anashkalimin e sanksioneve.
Në vitin 2025, Serbia miratoi Ligjin për Eksportin dhe Importin e Mallrave për Përdorim të Dyfishtë, me të cilin u vendos kontroll më i rreptë mbi qarkullimin e këtyre produkteve. Serbia kishte pasur edhe më parë rregullore në këtë fushë, por me këtë ligj e harmonizoi legjislacionin e saj me atë të Bashkimit Evropian.
Sipas ligjit, eksportuesit e këtyre mallrave janë të obliguar të marrin leje nga Ministria e Tregtisë së Jashtme, me pëlqimin e disa ministrive të tjera, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, thuhej në një përgjigje të mëhershme të Administratës Doganore për REL-in.
Ela Skybenko, hulumtuese e lartë në Qendrën për Biznes dhe të Drejtat e Njeriut, i tha REL-it se rregulloret e miratuara nga Serbia mund ta kufizojnë furnizimin e Rusisë me makineri.
“Por, efektiviteti i tyre varet në masë të madhe nga zbatimi dhe mbikëqyrja, të cilat shpeshherë janë dëshmuar të pamjaftueshme”, tha ajo për REL-in.
Tihomira Kostova thekson se kompanitë që furnizojnë industrinë ushtarake ruse me mallra mund të përfundojnë edhe vetë nën sanksione.
“Kompanitë nga vendet e treta që marrin pjesë në furnizimin e kompleksit ushtarako-industrial rus rrezikojnë të përballen me sanksione dytësore të SHBA-së, të cilat i vendos Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC)”, thotë ajo.
Megjithatë, ajo thekson se kontrolli i eksporteve drejt Rusisë vazhdon të jetë sfidë, pasi pajisjet për industrinë ushtarake shpeshherë arrijnë përmes “rrugëve alternative tregtare dhe ndërmjetësve”./ REL/
© SYRI.net