Debat në studio/ Dudushi: Tirana sot është më e zhvilluar. Bushati: Zhvillimi matet me cilësinë e jetës

Ndërsa në studion e “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus diskutohej mbi hetimet e nisura nga SPAK për “The Albanian Files”, analistët debatuan edhe mbi zhvillimin e Tiranës gjatë viteve të fundit.
Analisti Alban Dudushi tha se sot Tirana është një qytet më i zhvilluar dhe këtë e tregon numri i lartë i turistëve që vizitojnë kryeqytetin.
Por për analistin Andi Bushati, cilësia e një qyteti matet me cilësinë e jetës dhe, sipas tij, sot qytetarët janë më të varfër.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: A duhet të jetë Rama i shqetësuar për këtë hetim?
Bushati: E ka zbukuruar apo përkeqësuar Tiranën Edi Rama? Ky është debat shijesh. Por para kësaj ka disa njësi të tjera matëse. Po të shikosh klasifikimet e cilësisë së jetës, Tirana renditet e fundit për ndotjen, për çmimin e lartë të banesave dhe transportin. Pra, Edi Rama, si kryetar bashkie dhe kryeministër, na ka dhënë një Tiranë më të keqe.
Dudushi: Më të keqe se kur?
Bushati: Sot ishte bërë një krahasim se me sa vite pagë bleje ti një apartament në Tiranë. Të duheshin 10 vjet, sot të duhen 17 vjet. Pra, në vendin e stararkitektëve, ti je më i penalizuar si qytetar.
Dudushi: Nuk mund t’i ngatërrojmë gjërat në vend. Nëse do të flasim për transformimin e qytetit, është një gjë. Nëse do të flasim për transformimin, është tjetër gjë.
Bushati: Çfarë quan transformim?
Dudushi: Nëse i është dhënë më shumë rëndësi ndërtimeve sesa hapësirave publike, duhet folur patjetër për këtë. Tirana sot, në krahasim me vitin 2013, është shumë më tepër e zhvilluar, gjeneron më shumë ekonomi. Tirana ka turizëm gjatë gjithë vitit, njerëzit kanë më shumë akses për të punuar. A është më e shtrenjtë Tirana? Po, është. Por mos t’i ngatërrojmë gjërat.
Bushati: Që të flasësh për zhvillimin e një qyteti, e para është cilësia e jetës. Tirana është gjysma e Shqipërisë dhe në gjysmën e saj ka njerëz që nuk bëjnë dot as një javë pushime në vit. Ne mund të themi se ka më shumë turistë, por nëse varfëron qytetarët shqiptarë, kjo nuk quhet më zhvillim.




