
Një takim ky i rëndësishëm që mbledh ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare, për të shkëmbyer përvoja, praktika të mira dhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal në mbrojtje të trashëgimisë sonë kulturore. “Ndërkombëtarët janë këtu, UNESCO është këtu, në dialog të drejtpërdrejtë me institucionet tona, duke dëshmuar rëndësinë e sinergjisë dhe të angazhimit të përbashkët për trashëgiminë kulturore në përgjithësi”, shkruan përmes një postimi ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, që nga ana tjetër u përgjigjet akuzave se trashëgimia në Shqipëri po shkatërrohet.
“Faktet ama tregojnë një tjetër realitet, një tjetër angazhim. Financimi për trashëgiminë kulturore rritet me +80% më shumë në vitin 2027, duke mbështetur projekte rijetëzimi e shpëtimi, mbrojtjeje dhe promovimi të traditës. Hapësira të reja muzeore dhe vëmendje të shtuar tek identiteti, historia, artizanati, dijebërja për brezat që vijnë. Projekte menaxhimi e kujdesi në sitet arkeologjike, krahas forcimit të kapaciteteve restauruese dhe personelit me punonjës të rinj. Reforma ligjore e instrumenta të tjera për mbështetjen dhe nxitjen e turizmit kulturor si edhe përfshirjen sa më direkte të komunitetit.
Ndërkohë, për ata që nxituan të shpallnin se miliona euro për Bylisin ishin bërë “rrush e kumbulla”, përgjigjja gjendet përsëri në terren. Projekti i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe AICS është në zbatim dhe puna në kantier vijon suksesshëm. Paralelisht, në Butrint, ekspertë të tjerë ndërkombëtarë të trashëgimisë nga UNESCO vijojnë angazhimin për të verifikuar nga afër gjendjen e monumenteve dhe ecurinë e ndërhyrjeve konservuese, krahas planeve dhe projekteve të reja.
Dhe ndërkombëtarët nuk janë spektatorë. Janë këtu, në Tiranë dhe në terren, në bashkëpunim me ekspertët shqiptarë, ndërsa Shqipëria është sot më lart se kurrë në reputacion, në rezultate e në raporte. Kritikat ne i mirëpresim, por akuzat nuk mund të zëvendësojnë aspak faktet. Sepse trashëgimia sidomos nuk mbrohet me tituj alarmantë, por me investime, ekspertizë dhe punë konkrete! Asnjë zë depresiv apo tellall i vyshkur nuk do të na kompleksojë apo të na ngadalësojë në jetëzimin e vizionit tonë”, u shpreh Gonxhja.
