
Kryetari i partisë pro serbe “Mali i Zi i Lirë”, Vladislav Dajkoviç, ka deklaruar se është dënuar nga një gjykatë shqiptare me tre vite burgim për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes kombëtare, për shkak të një fotografie të publikuar 6 vite më parë në Shkodër, krahas së cilës shkruante: “Përshëndetje të gjithëve nga Shkodra e lashtë serbe”.
Në një konferencë, siç raportojnë mediat malazeze, ai ka pretenduar se nuk ka fyer askënd me tekstin për të cilin është dënuar. Ai ka thënë se nuk do të dorëzohet në autoritetet shqiptare, por ka shtuar se ka frikë se ka “tradhtarë” në Mal të Zi” që mund të përgatisin një urdhër ekstradimi të tij.
“Gjykata më dënoi me tre vjet për veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe përçarjes kombëtare. Dënimi ulet në një vit sepse jam njeri familjar dhe nuk kam precedent penal. Arsyetimi i gjykatës citon edhe të dhëna nga Shërbimi Kombëtar Shqiptar, i cili më përshkruan si një nacionalist serb që mbron idetë e një Serbie të madhe dhe një mik të ngushtë të Mitropolitit Amfilohije”, tha Dajkoviç.
Ai ka theksuar se nuk ka bërë asnjë kërcënim kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Shqipërisë, por siç pretendon ai, vetëm ka deklaruar “faktin famëkeq historik” se Shkodra ishte kryeqyteti i Perandorisë Serbe për shekuj me radhë.
“Nëse duhet të shkoj në burg për këtë, atëherë duhet të shkojë edhe i gjithë sistemi ynë arsimor. Nëse duhet të shkoj në burg, a do të mbahet përgjegjës ndonjë shqiptar që bën të njëjtën gjë nën flamujt e Shqipërisë dhe të UÇK-së në Mal të Zi? Këto janë standarde të dyfishta dhe pyes veten se sa mijëra vjet do të shkonin në burg shqiptarët në Mal të Zi për një akt të tillë. Unë nuk thashë se do ta shkatërroja ose pushtoja Shkodrën dhe, nëse duhet të shkoj në burg, le të jetë kështu, por nuk do të kërkoj falje”, shtoi ai.
Dajkoviq pretendon se gjithçka u bë me qëllimin për të “heshtur një serb” dhe për të dërguar mesazhin “ki kujdes çfarë bën, e njëjta gjë mund të të ndodhë edhe ty”.
“Nuk do të habitem nëse autoritetet malazeze, në një përpjekje për të kënaqur si kroatët ashtu edhe shqiptarët, Albin Kurtin dhe BE-në, do të fillonin procedurën për ekstradimin tim tek autoritetet shqiptare, por kjo vetëm sa do ta bashkonte popullin serb. Serbët nuk do të heshtin për këtë dhe unë premtoj se nuk do t’u dorëzohem vullnetarisht autoriteteve shqiptare”, theksoi Dajkoviç.
“Nuk kam frikë nga gjykatat apo autoritetet shqiptare. Kam frikë se ka mjaftueshëm tradhtarë që janë të gatshëm të lëshojnë një urdhër për ekstradimin tim nëpërmjet Interpolit”, shtoi ai.




