VIDEO/ Dosja ‘Irena Gjoka’, Gjokutaj: Prokurori pyeti vetëm gjyqtaren e akuzuar dhe më pas e mbylli çështjen

VIDEO/ Dosja ‘Irena Gjoka’, Gjokutaj: Prokurori pyeti vetëm gjyqtaren e akuzuar dhe më pas e mbylli çështjen

21:18, 10/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Avokati Genc Gjokutaj ka ngritur akuza ndaj mënyrës se si është trajtuar kallëzimi penal lidhur me gjyqtaren Irena Gjoka, duke deklaruar se prokurori i çështjes, Bledar Maksuti, ka pyetur vetëm gjyqtaren dhe më pas e ka mbyllur dosjen.

I ftuar në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, me moderatoren Armela Ferko, Gjokutaj tregoi historikun e ndjekjes institucionale të çështjes, pas marrjes dijeni për vendimin e autoriteteve greke që lidhet me Irena Gjokën.

Sipas avokatit, për dy vite me radhë Prokuroria e Përgjithshme nuk mori asnjë vendim, ndërsa institucionet ia kalonin përgjegjësinë njëra-tjetrës. Ai përmendi ILD-në, KLGJ-në, Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, duke pretenduar se këto institucione i kishin bërë mbrojtje gjyqtares.

Ai tha se vendimi grek u sigurua nga Fredi Beleri, pasi ky i fundit ndoqi rrugët ligjore, dhe më pas u depozitua kallëzimi penal. Sipas tij, Prokuroria e Përgjithshme ia përcolli vendimin KLGJ-së, por nuk njoftoi personat që kishin iniciuar ankesën, mes tyre Adriana Kalanë.

Gjokutaj deklaroi se kallëzimi penal ndaj Irena Gjokës u bë nga Adriana Kalaja, Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, si persona të dëmtuar akuzues. Sipas tij, çështjen e mori prokurori Bledar Maksuti, i cili pyeti vetëm Irena Gjokën. Kjo e fundit, sipas tij, deklaroi se nuk kishte kryer asnjë vepër penale.

‘Ne morëm dijeni për vendimin grek dhe ndoqëm rrugën ligjore, duke pasur sërish besim te drejtësia. Mirëpo, këto institucione ishin të gjitha bashkë: ILD-ja, KLGJ-ja, Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Duhet theksuar se kryetari i KLP-së kishte lidhje familjare me të, pasi ishte djali i tezes së saj, dhe të gjithë i bënin mbrojtje. Për dy vjet me radhë, Prokuroria e Përgjithshme nuk merrte asnjë vendim. E kupton këtë? Luhej ping-pong me përgjegjësinë: KLGJ-ja i kërkonte Prokurorisë së Përgjithshme përgjigje, duke i thënë se kishte ankesa, ndërsa kjo e fundit e zvarriste çështjen.

Çfarë ndodhi në fund? Në fund, Fredi Beleri e siguroi vendimin, duke ndjekur të gjitha rrugët ligjore, dhe ne bëmë kallëzimin penal.

Prokuroria e Përgjithshme ia përcolli vendimin KLGJ-së, por nuk na njoftoi ne, që e kishim iniciuar çështjen. Adriana Kalaja, e cila e kishte firmosur ankesën, duhej të njoftohej se vendimi kishte mbërritur, se ankesa e saj kishte marrë këtë rrugë dhe se në çfarë faze ndodhej çështja.

Çfarë ndodhi më pas? U mblodh KLGJ-ja, e cila fillimisht e konsideroi veten kompetente për të administruar letërporosinë, pra për të marrë vendimin e huaj grek përmes Prokurorisë së Përgjithshme. Por më pas, disa specialistë atje thanë se nuk kishin kompetencë dhe se kjo çështje i takonte ILD-së.

Pse ndodhi kjo? Sepse, nëse KLGJ-ja do të vendoste për shkarkimin e saj, ajo do të pushonte së qeni gjyqtare. Përjashtimi nga radhët e gjyqësorit me vendim të KLGJ-së do t'i hiqte statusin e gjyqtares. Ndërsa, nëse çështja trajtohej nga ILD-ja, ajo mund të merrte një masë disiplinore, një vërejtje, dhe të vazhdonte të ushtronte detyrën.

Por nuk kemi thënë ende lajmin, avokat. Historiku i çështjes së Irenës është shumë i gjatë. Pra, çfarë ndodh tani?

Bëhet kallëzim nga Adriana Kalaja dhe nga doktor Berisha dhe Jamarbër Malltezi të dëmtuar akuzues. Çështjen e mori Bledar Maksuti, i cili pyeti vetëm Irena Gjokën. Kjo e fundit deklaroi se nuk kishte kryer asnjë vepër penale.

Ndërkohë, mbrojtja e Irena Gjokës në KLGJ ishte mbështetur te argumenti se vendimi grek nuk kishte marrë formë të prerë dhe se, për rrjedhojë, nuk mund të prodhonte efektet e pretenduara, madje ishte shuar si vendim.

Por ata flisnin sikur bëhej fjalë për njohjen e një vendimi të huaj, ndërkohë që çështja, sipas nesh, kishte të bënte me ekzistencën e një fakti që duhej të ishte pasqyruar në formularin e dekriminalizimit.’, deklaroi ndër të tjera avokati Genc Gjokutaj në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco