Kosova pëson sërish nga Italia, gjithçka vendoset në ndeshjen e fundit me Gjeorgjinë

Kombëtarja e Kosovës në futsall ka pësuar humbjen e dytë radhazi nga Italia në kuadër të Grupit 10 të raundit kryesor kualifikues për Kupën e Botës 2028. Pas disfatës dramatike 4-3 në Prishtinë, “Dardanët” janë mposhtur edhe në ndeshjen e kthimit në Itali, me rezultat 3-0.
Ndeshja e zhvilluar në Barletta ishte përballja e tretë e Kosovës në këtë fazë kualifikuese.
Golashënuesit për Italinë në fitoren 3-0 ndaj Kosovës ishin Gabriel Motta (14’23”), Antonio Molaro (16’10”) dhe Maurizio Silvestri (39’30”).
Kësaj radhe, përfaqësuesja jonë nuk arriti të përsëriste paraqitjen e mirë të ndeshjes së parë, kur përkundër disavantazhit prej tri golash, ishte rikthyer në lojë dhe kishte barazuar rezultatin në 3-3, para se Italia të shënonte golin e fitores në fund.

Humbja në Itali bën që Kosova të mbetet me tri pikë në Grupin 10, të fituara në ndeshjen hapëse ndaj Gjeorgjisë, të cilën e kishte mposhtur me rezultat 3-2 në udhëtim.
Ndërkohë, Italia ka konfirmuar epërsinë në grup, duke marrë pikët e plota në dy përballjet direkte me Kosovën.
Për Kosovën, sfida e fundit e kësaj faze do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme. Më 24 shkurt 2027, “Dardanët” do ta presin Gjeorgjinë në ndeshjen që mund të përcaktojë pozitën përfundimtare në grup dhe mundësinë e vazhdimit të rrugëtimit drejt Kupës së Botës.
Objektivi i Kosovës është të sigurojë pozitën e dytë dhe të mbetet në garë përmes fazës së play-offit.

Sipas formatit të kualifikimeve, fituesit e 12 grupeve dhe katër ekipet më të mira të vendeve të dyta kalojnë drejtpërdrejt në fazën Elite, ndërsa tetë përfaqësueset e tjera që përfundojnë në vendin e dytë do të luajnë në play-off për të kërkuar një vend në këtë fazë. /Telegrafi/








































