Bushati: Nëse PD nuk nxjer një kandidat që i pëlqen protestës, do përfundojë si opozita në Serbi

Zgjedhjet lokale të 9 majit, çfarë po ndodh brenda opozitës dhe kush do të jetë kandidati? Kjo ishte një tjetër pikë diskutimi këtë të martë në studion e “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus të Ylli Rakipit.
Analisti Andi Bushati tha se PD-ja duhet të vetësakrifikohet nëse do të ketë sukses përballë Edi Ramës.
Sipas tij, nuk mjafton vetëm të nxjerrë si kandidat më të moderuarin e saj, por duhet t’u servirë qytetarëve një njeri që është pjesë e tyre.
Pjesë nga diskutimi:
Rakipi: Ethet e zgjedhjeve kanë filluar. Rama do të mbledhë Asamblenë, por opozita ka një problem tjetër, nuk ka qartësi. PD-ja, pasi shpalli Binajn herën e kaluar si kandidat, i cili u shpall vetë para 48 orësh, kemi një tjetër kandidat, Ilir Alimehmetin. A ekziston mundësia që PD-ja dhe partitë e reja të mbështesin një kandidat të pavarur?
Bushati: Unë mendoj se PD-ja po tregon një keqkuptim të madh, sepse nuk e ka kuptuar fare se çfarë ka ndodhur në Shqipëri këta 6 muaj. Po të shikojmë, hidhet emri i doktor Alimehmetit. Në mendjen e mykur të PD-së duket sikur, duke u hapur deri te të moderuarit e vet, i bën nder Shqipërisë. Sot të moderuarit e PD-së duken të papranueshëm për shoqërinë.
Rakipi: Edhe doktor Alimehmeti, thua ti?
Bushati: Që PD-ja të mos jetë më me atë mendësinë e mykur të fillimit të revolucionit e Flamingove, nuk duhet të hapet te doktor Alimehmeti, por duhet të propozojë si kandidatë të saj figura të protestës. Ka plot mjekë, inxhinierë që mund të bëhen kollaj figura të reja. Nëse PD-ja nuk do të dijë të hapet, rrezikon të përfundojë si opozita e Orbanit në Hungari apo opozita e Vuçiçit në Serbi, që u asgjësua fare.
Rakipi: Po Binaj?
Bushati: Binaj është në të drejtën e vet. Unë nuk kisha ndonjë simpati të madhe, por mendoj që në një situatë siç mund të precipitojë deri në 9 maj, edhe Binaj mund të dalë sipër kandidatit të PD-së, nëse PD-ja mbetet e mbyllur në kullën e saj.




