Të dhënat e shqiptarëve në treg? Qeveria u hap derën privatëve kundrejt pagesës
AKSHI në qendër të skemës së re
Të dhënat personale që shteti mbledh nga qytetarët mund të kthehen në një burim të ri aksesi me pagesë për kompanitë private. Një ndryshim i parashikuar në projektligjin për qeverisjen elektronike zgjeron mundësinë e përdorimit të bazave shtetërore të të dhënave edhe nga persona fizikë dhe juridikë privatë, duke e lidhur këtë akses me tarifa financiare.
Draft-relacioni shoqërues i projektligjit parashikon zgjerimin e platformës qeveritare të ndërveprimit, e cila deri më tani përdorej për shkëmbimin e informacionit mes institucioneve publike. Me ndryshimet e propozuara, kjo mundësi nuk do të kufizohet vetëm brenda administratës shtetërore.
Në dokument argumentohet se subjektet private do të mund të marrin akses në të dhënat e bazave shtetërore, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ndërkohë, AKSHI-t i shtohet një detyrë e re, që lidhet me ekspozimin e shërbimeve web të këtyre bazave për aksesin në të dhënat parësore.
Relacioni e përshkruan kështu ndryshimin:
“Projektligji e zgjeron përkufizimin e platformës qeveritare të ndërveprimit, duke përfshirë aksesin e personave fizikë ose juridikë privatë në të dhënat, sipas legjislacionit në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore.”
Aksesi i privatëve do të jetë me pagesë
Një prej pikave më të rëndësishme të projektligjit lidhet me mënyrën se si do të funksionojë ky akses dhe përfitimet financiare që parashikohen prej tij.
Në relacion thuhet shprehimisht se përdorimi i të dhënave nga subjektet private do të jetë i tarifuar, pasi lidhet me veprimtari që synojnë fitimin. Të ardhurat parashikohet të derdhen në buxhetin e shtetit, ndërsa llojet dhe masat e tarifave do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
“Duke qenë se aksesi i subjekteve private shërben për veprimtari me qëllim fitimi, projektligji parashikon që ai të jetë i tarifuar dhe që të ardhurat të derdhen në buxhetin e shtetit. Llojet dhe masa e tarifave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në dokument.
Pra, projektligji krijon një mekanizëm të ri përmes të cilit subjektet private mund të përfitojnë akses në të dhënat shtetërore kundrejt pagesës. Megjithatë, në dokumentin e cituar nuk përcaktohen konkretisht kompanitë që do të përfitojnë, sektorët që do të kenë përparësi apo kategoritë e të dhënave që mund të aksesohen.
AKSHI në qendër të sistemit, kush do të kontrollojë të dhënat?
Zgjerimi i këtij mekanizmi e vendos Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit në një rol të rëndësishëm për administrimin e aksesit në bazat shtetërore.
Çështja bëhet edhe më e ndjeshme për shkak të rolit që kanë shoqëritë operatore të teknologjisë së informacionit në administrimin e infrastrukturës dhe shërbimeve digjitale.
Në këtë pikë lindin pikëpyetje mbi kufijtë e aksesit, përgjegjësitë për ruajtjen e informacionit dhe mënyrën se si do të kontrollohet përdorimi i të dhënave nga subjektet private.
Cilat kompani do të lejohen të hyjnë në këto sisteme? A do të përfshihen vetëm banka dhe institucione financiare, apo edhe biznese të tjera që mund t’i përdorin të dhënat për verifikime, profilizim apo veprimtari tregtare?
Projektligji i cituar nuk jep një listë konkrete të përfituesve, ndërsa mënyra e përcaktimit të tarifave do të varet nga vendimet e ardhshme të qeverisë.
Privatësia e qytetarëve dhe rreziku i keqpërdorimit
Një tjetër shqetësim lidhet me sigurinë e informacionit personal në një kohë kur Shqipëria ka përjetuar raste të rënda të ekspozimit dhe rrjedhjes së të dhënave të qytetarëve.
Zgjerimi i aksesit në bazat shtetërore kërkon garanci të qarta për mënyrën se si do të përdoren të dhënat, kush do të ketë të drejtë t’i konsultojë dhe çfarë mekanizmash do të parandalojnë përdorimin e tyre për qëllime të paligjshme.
Po ashtu, mbetet për t’u sqaruar nëse tarifat do të aplikohen për çdo lloj aksesi dhe në çfarë mënyre do të mbikëqyren subjektet që do të përfitojnë nga ky mekanizëm.
Një tjetër pikë që kërkon vëmendje është ndikimi i mundshëm financiar te qytetarët. Edhe pse relacioni parashikon që të ardhurat nga tarifat të shkojnë në buxhetin e shtetit, kostot e aksesit për bizneset mund të reflektohen në çmimet e shërbimeve që ato ofrojnë.
Në thelb, projektligji hap një debat të rëndësishëm mbi kufirin mes digjitalizimit të shërbimeve publike dhe përdorimit komercial të informacionit që shteti administron për qytetarët. Mbetet për t’u parë se çfarë garancish do të përfshihen në kuadrin përfundimtar ligjor për të mbrojtur privatësinë dhe për të siguruar që aksesi i subjekteve private të mos kthehet në një mekanizëm abuzimi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



