Bashkimi Evropian paralajmëron një reagim të përbashkët ndaj sulmeve kibernetike që goditën sistemet e ftohjes në rreth 700 pika supermarketesh në Francë. Brukseli po shqyrton edhe vendosjen e sanksioneve ndaj personave dhe subjekteve përgjegjëse për sulmet.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni, deklaroi se BE-ja qëndron në solidaritet të plotë me Francën dhe është e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet në dispozicion.
“Bashkimi Evropian është i gatshëm të japë një përgjigje të shpejtë dhe të bashkuar”, u shpreh ai gjatë një konference për shtyp në Bruksel.
Reagimi vjen pasi autoritetet franceze i kanë atribuar Iranit përgjegjësinë për sulmet, të cilat ndërhynë në sistemet e kontrollit të temperaturës së frigoriferëve, duke krijuar probleme në ruajtjen e produkteve ushqimore të freskëta dhe të ngrira.
Sipas Komisionit Evropian, çështja pritet të diskutohet edhe në takimin e ardhshëm të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, ndërsa në tryezë janë edhe masa të reja kufizuese në fushën e sigurisë kibernetike.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, bëri të ditur se Parisi po shqyrton të gjitha mundësitë e reagimit, përfshirë masa përtej sanksioneve diplomatike dhe atyre evropiane.
Franca ka thirrur ambasadorin iranian për të kërkuar shpjegime lidhur me dyshimet për përfshirjen e një njësie të Gardës Revolucionare Islamike në sulmin kibernetik.
Prokuroria në Paris ka nisur hetimet ndaj drejtuesit të grupit iranian “Shahid Kaveh”, që dyshohet se është i lidhur me strukturat kibernetike të Gardës Revolucionare, si dhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij.
Autoritetet franceze kanë kërkuar gjithashtu lëshimin e urdhërarresteve ndërkombëtare në kuadër të hetimit.
Nga ana tjetër, Teherani i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe armiqësore.
Sulmi, i cili sipas autoriteteve franceze ndodhi gjatë natës së 11 tetorit, ka ngritur shqetësime për sigurinë kibernetike të infrastrukturës ushqimore dhe mbrojtjen e sistemeve jetike në vendet evropiane.
