Kryetari i partisë pro serbe “Mali i Zi i Lirë”, Vladislav Dajkoviç, ka deklaruar se është dënuar nga një gjykatë shqiptare me tre vite burgim për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes kombëtare, për shkak të një fotografie të publikuar 6 vite më parë në Shkodër, krahas së cilës shkruante:“Përshëndetje të gjithëve nga Shkodra e lashtë serbe”.

Në një konferencë, sipas mediave, ai ka pretenduar se nuk ka fyer askënd me tekstin për të cilin është dënuar.

“Gjykata më dënoi me tre vjet për veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe përçarjes kombëtare. Dënimi ulet në një vit sepse jam njeri familjar dhe nuk kam precedent penal. Arsyetimi i gjykatës citon edhe të dhëna nga Shërbimi Kombëtar Shqiptar, i cili më përshkruan si një nacionalist serb që mbron idetë e një Serbie të madhe dhe një mik të ngushtë të Mitropolitit Amfilohije”, tha Dajkoviç

Sipas tij, të gjitha këto e çojnë në përfundimin se çështja është e motivuar politikisht. Ai pretendon se i ishte caktuar një avokat kryesisht dhe se i ishte thënë se ekzistonte një marrëveshje për një dënim me kusht, por vetëm nëse ai paraqitej në Shkodër,

“U thashë: Jo, faleminderit. Nuk më shkon ndërmend të shkoj në Shkodër, sepse jam i sigurt se sapo të kaloja kufirin do të dërgohesha menjëherë në paraburgim dhe nga ai paraburgim do të dilja në arkivol”, u shpreh Dajković.

Ai thekson se në publikimin që autoritetet shqiptare e konsiderojnë problematik nuk ka bërë asnjë fyerje apo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Shqipërisë, apo ndaj ndonjë qytetari shqiptar. Përkundrazi, sipas pretendimit të tij, ka paraqitur vetëm një “fakt historik të njohur”, se Shkodra kishte qenë për shekuj me radhë kryeqytet i Perandorisë Serbe.

“Nëse unë duhet të shkoj në burg për këtë, atëherë duhet të shkojë edhe i gjithë sistemi ynë arsimor. Nëse unë duhet të shkoj në burg, a do të mbajë përgjegjësi ndonjë shqiptar që bën të njëjtën gjë me flamujt e Shqipërisë dhe të UÇK-së nëpër Malin e Zi? Këto janë standarde të dyfishta dhe pyes veten se sa mijëra vite burg do të merrnin shqiptarët në Malin e Zi për një vepër të tillë. Unë nuk kam thënë se do ta shkatërroj apo pushtoj Shkodrën dhe, nëse duhet të shkoj në burg, le të jetë kështu, por të kërkoj falje nuk do të bëj”, deklaroi Dajković.