
Disa eurodeputetë evropianë kanë goditur kryeministrin Rama duke kritikuar veprimet e policisë gjatë protestave, nivelin e demokracisë në vend dhe transparencën e institucioneve qeveritare.
Ata ngrenë gjithashtu shqetësimin mbi ruajtjen e natyrës teksa eurodeputetja Tineke Strik tha në Parlamentin Evropian se nëse qeveria shqiptare do lejohet të ecë në drejtimin e tanishëm, do shkatërrojë gjithçka para se natyra shqiptare të mbrohet në përputhje me standardet e BE-së.
Tineke Strik – Të Gjelbrit/Aleanca e Lirë Evropiane
“Nëse e lejojmë këtë qeveri të vazhdojë në këtë rrugë, natyra do të jetë shkatërruar përpara se ne të arrijmë ta mbrojmë atë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Çfarë veprimesh të mëtejshme mund të ndërmerrni, edhe në nivel politik, për ta ndaluar Ramën të vazhdojë në këtë drejtim dhe për të parandaluar krijimin e fakteve të pakthyeshme në terren?”
Ilaria Salis – E Majta
“Në një demokraci të shëndetshme, do të prisnim që një qeveri t’i dëgjonte kërkesat e qytetarëve të saj, të kërkonte dialogun dhe të ofronte përgjigje konkrete. Përgjigjja e autoriteteve shqiptare ka qenë kryesisht represioni, përdorimi joproporcional i forcës, dhuna policore dhe arrestimet arbitrare.”
Marco Tarquinio – Socialistët dhe Demokratët (S&D)
“Represioni i dhunshëm i policisë u ka paraprirë akteve të dhunës nga protestuesit, të cilat gjithashtu kanë ndodhur. Janë parashikuar sanksione ndaj atyre që protestojnë, të cilat mund të arrijnë deri në gjysmë milioni lekë, që të konvertuara në euro janë rreth 5 500 euro, në një vend ku paga mesatare arrin në 930 euro.”
Andrey Kovatchev – Partia Popullore Evropiane (EPP)
“I gjithë ky monitorim dhe mbikëqyrje e përdorimit joproporcional të forcës duhet të kryhet gjithashtu nga Parlamenti shqiptar.”
*Citimet marrë nga Andi Kurti në Facebook