Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ka shmangur një angazhim të qartë për t’i mundësuar Erion Veliajt pjesëmarrjen në Asamblenë Kombëtare të partisë, qoftë edhe përmes një lidhjeje me video, duke ia kaluar përgjegjësinë organeve të drejtësisë.
Në një intervistë për Klan News, Klosi tha se Partia Socialiste e ka kundërshtuar paraburgimin e kryebashkiakut të Tiranës, por theksoi se kërkesa e tij për të marrë pjesë në Asamble nuk është një çështje që mund të zgjidhet nga strukturat e partisë.
“Ne e kemi kundërshtuar këtë situatë, kemi bërë përpjekje kundër paraburgimit si masë e parë, sepse jemi keq me paraburgimin, edhe krahasuar me Rusinë jemi më keq për njerëzit e paraburgosur dhe kjo është një situatë absurde. Por nuk është një raport me Asamblenë, por është një raport me drejtësinë. Raporti i kërkesës që ju përmendni është një raport me organet e drejtësisë, jo me të partisë”, deklaroi Klosi.
I pyetur nëse PS do të organizojë një lidhje me video për Veliajn në rast se SPAK i jep leje, sekretari i Përgjithshëm nuk dha asnjë garanci, duke lënë të hapur edhe mundësinë që çështja të shqyrtohet nga strukturat politike të partisë.
“Do ta gjykojmë pasi të jenë organet e drejtësisë që të vendosin. Ato e kanë krijuar këtë ngërç, nuk e kanë krijuar organet e partisë”, u shpreh Klosi.a.b



