Ekzekutohet shqiptari 39-vjeçar në Spanjë, autori e qëlloi disa herë dhe u largua me monopatinë elektrike

Një shtetas shqiptar, 39-vjeçar, me inicialet L.B., është vrarë me armë zjarri në zonën Playa Flamenca, në Orihuela Costa të provincës së Alicante-s në Spanjë.
Ngjarja ka ndodhur pranë një kompleksi sportiv, në rrugën Nicolás de Bussi, gjatë paradites së së martës.
Sipas raportimit të medias spanjolle Antena 3, autori i dyshuar iu afrua viktimës dhe qëlloi disa herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Pas atentatit, ai u largua nga vendngjarja me një monopatinë elektrike.
Në vendin e ngjarjes mbërritën ekipet e urgjencës SAMU, por pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, 39-vjeçari nuk arriti të mbijetonte.
Fillimisht ndërhyri policia lokale, ndërsa hetimet për zbardhjen e vrasjes i ka marrë përsipër Guardia Civil, transmeton Telegrafi.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, autori i dyshuar ende nuk është arrestuar. Ndërkohë, trupi i viktimës pritet t'i nënshtrohet autopsisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Alicante.
Deri më tani, autoritetet spanjolle nuk kanë bërë të ditur motivin e vrasjes dhe as nuk kanë konfirmuar ndonjë pistë zyrtare për atentatin.
Hetuesit po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e rrethanave që çuan në ekzekutimin e shqiptarit./Telegrafi/

































