Makina përplas këmbësorët, tre persona humbin jetën dhe tre të tjerë u plagosën rëndë

Makina përplas këmbësorët, tre persona humbin jetën dhe tre të tjerë u plagosën rëndë

07:51, 11/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një automjet ka përplasur disa këmbësorë në lagjen North Hollywood, në Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar të paktën tre viktima dhe tre të plagosur, mes tyre edhe drejtuesin e mjetit.

Ngjarja e rëndë ndodhi të martën pasdite, sipas orës lokale, pak para orës 18:00. Autoritetet bëjnë me dije se të tre të plagosurit ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë nëse bëhet fjalë për një aksident apo për një veprim të qëllimshëm.

Sipas policisë, tre nga personat e përplasur nga automjeti u shpallën të vdekur në vendngjarje. Dy këmbësorë të tjerë dhe drejtuesi i makinës u transportuan me urgjencë në spitalet e zonës.

Pamjet ajrore të transmetuara nga mediat tregojnë një automjet të bardhë tip SUV, me dëmtime të konsiderueshme, i cili ka përfunduar në trotuar, pranë një tende blu dhe në afërsi të stacionit të autobusëve.

Policia dhe shërbimet zjarrfikëse kanë konfirmuar ngjarjen, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e tragjedisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco