Meta “godet” paktin Berisha-Rama: Mjaft më me deputetë të kryetarëve!
“Duhen hapje 100% të listave dhe rikthim të balotazhit”
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka përcjellë një mesazh nga burgu, ku ka paraqitur propozimet e tij për reformën zgjedhore dhe ndryshimet që, sipas tij, janë të domosdoshme për rikthimin e demokracisë funksionale në Shqipëri.
Meta ka renditur disa kërkesa konkrete, duke vënë në qendër rikthimin e Kushtetutës në variantin përpara ndryshimeve të vitit 2008, hapjen e plotë të listave zgjedhore dhe rikthimin e sistemit të balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive.
Sipas tij, Kushtetuta përpara ndryshimeve të vitit 2008 do të garantonte një ndarje më të qartë të pushteteve, forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës institucionale, si dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
Një tjetër pikë e rëndësishme e propozimeve të kreut të PL-së është hapja 100% e listave për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë. Meta argumenton se përfaqësuesit e zgjedhur duhet ta marrin mandatin drejtpërdrejt nga votuesit dhe jo të varen nga vendimmarrja e kryetarëve të partive politike.
Ai kërkon gjithashtu rikthimin e balotazhit në zgjedhjet për kryetarët e bashkive, me argumentin se përmes këtij mekanizmi fituesi do të kishte mbështetjen e shumicës së qytetarëve.
Në mesazhin e tij, Meta ndalet edhe te mundësia që qytetarë jashtë strukturave partiake të kenë të drejtën të kandidojnë në mënyrë të pavarur. Sipas tij, individët me integritet, kontribut publik dhe mbështetje qytetare duhet të kenë të njëjtat mundësi për të garuar dhe për t’u zgjedhur.
Kreu i Partisë së Lirisë e konsideron sistemin aktual si një mekanizëm që fuqizon drejtuesit e partive në kurriz të përfaqësimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve, duke e shoqëruar qëndrimin e tij me thirrjen: “Mjaft më me deputetë të kryetarëve dhe partitokracisë!”.
Meta pretendon se këto ndryshime do t’i rikthenin sovranitetin qytetarëve, do të ndihmonin në çlirimin e institucioneve nga kapja politike dhe do të krijonin kushte më të mira për integrimin europian të Shqipërisë.
Në përfundim të reagimit, ai thekson se shqiptarët meritojnë të zgjedhin lirisht përfaqësuesit e tyre dhe që vullneti i votuesve të mos zëvendësohet nga vendimmarrja e drejtuesve partiakë.
Reagimi i plotë i Ilir Metës:
“VETËM KËTO JANË ZGJIDHJET!
Rikthimi i Kushtetutës së para ndryshimeve të vitit 2008, për të rivendosur ndarjen e pushteteve, sistemin e kontrollit dhe balancës ndërmjet tyre, si garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.
Hapja 100% e listave për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë, në mënyrë që mandatin ta marrin drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga kryetarët e partive.
Rikthimi i balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive, në mënyrë që fituesi të ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve.
Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit dhe garantohet e drejta që krahas kandidatëve të partive politike edhe qytetarë me kontribute, integritet dhe mbështetje publike të mund të garojnë e të zgjidhen si kandidatë të pavarur.
Mjaft më me deputetë të kryetarëve dhe partitokracisë!
Shqiptarët meritojnë të zgjedhin të lirë dhe që zëri i tyre të dëgjohet fort!
Vetëm kështu Shqipëria çlirohet nga kapja e shtetit dhe socialistët e ndershëm shpëtojnë nga kthetrat e ‘Rilindjes’.
Vetëm kështu Shqipëria mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit shqiptar.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



