Një ushtar i ushtrisë amerikane është arrestuar në Britaninë e Madhe, nën dyshimin për spiunazh në favor të Rusisë, kanë bërë të ditur autoritetet britanike kundër terrorizmit.

Ushtari, 41-vjeçar dhe me gradë të lartë, u arrestua të martën në afërsi të Gloucesterit. Sipas Policisë Kundër Terrorizmit në Londër, arrestimi u krye në bazë të neneve 1 dhe 3 të Ligjit për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023.


Neni i parë lidhet me marrjen ose zbulimin e informacioneve të mbrojtura, ndërsa neni i tretë me ndihmën ndaj një shërbimi të huaj të inteligjencës.

Në kuadër të hetimeve, policia po kryen kontrolle në dy lokacione në Gloucestershire, transmeton Telegrafi.

BBC-ja raporton se ushtari ishte i vendosur në kazermat Imjin, në Innsworth të Gloucestershire, të cilat shërbejnë si seli e Korpusit të Reagimit të Shpejtë të Aleancës së Atlantikut të Veriut (ARRC).

Policia Kundër Terrorizmit bëri të ditur se hetimi nuk ka lidhje me ndonjë çështje tjetër që është aktualisht në zhvillim.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, e cilësoi arrestimin si të rëndësishëm, duke theksuar se akuzat për spiunazh janë shqetësuese për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.

“Ky arrestim i rëndësishëm lidhet me akuza për spiunazh, të cilat përbëjnë një shqetësim jashtëzakonisht serioz për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë”, deklaroi Patel.

Ai shtoi se FBI-ja nuk toleron askënd që shkel betimin ndaj SHBA-së dhe me veprimet e tij rrezikon sigurinë kombëtare amerikane dhe atë të partnerëve të saj.

Edhe zëvendësdrejtoresha e Policisë Kundër Terrorizmit në Londër, Vicki Evans, e përshkroi arrestimin si “domethënës”, duke theksuar se pretendimet janë serioze dhe hetimet po vazhdojnë.

Ushtari, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, ndodhet në paraburgim në një stacion policor në Londër. Sipas Ligjit për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023, ai mund të mbahet në ndalim deri në 14 ditë pa u ngritur ende aktakuzë.

Ndërkohë, gjeneral brigade Sean Stinchon, komandant i Komandës së Kundërzbulimit të Ushtrisë Amerikane, tha se rasti tregon se kërcënimet e brendshme ndaj sigurisë janë reale dhe të vazhdueshme.

“Veprimet e dyshuara të një ushtari të lartë, të cilit i janë besuar informacione të ndjeshme, janë një kujtesë serioze se kërcënimet nga brenda institucioneve janë reale dhe të vazhdueshme”, deklaroi ai.

Stinchon u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë pranë zyrave lokale të kundërzbulimit çdo aktivitet të dyshimtë që mund të kenë vërejtur. /Telegrafi/