Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së kanë bllokuar të martën një nismë për shkarkimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, lidhur me luftën kundër Iranit.

Rezoluta nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për t’u dërguar në Komitetin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve. Votimi përfundoi me 211 vota kundër dhe 204 pro, duke i dhënë një fitore presidentit Donald Trump, vetëm pak ditë pas humbjes së partisë së tij në zgjedhjet e mesmandatit.


Demokratët dhe disa republikanë kishin synuar që të mërkurën të mbahej një votim për ngritjen e akuzave zyrtare ndaj Hegseth, transmeton Telegrafi.

Nisma u paraqit nga republikani i Kentakit dhe kritiku i Trumpit, Thomas Massie, i cili, sipas mediave amerikane, ishte i vetmi anëtar i partisë së tij që kundërshtoi procedurën për bllokimin e saj.

Republikanët aktualisht kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, por kjo pritet të ndryshojë në janar, kur demokratët parashikohet të marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit.

Humbja e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit vjen në një periudhë pakënaqësie të gjerë në mesin e amerikanëve për luftën me Iranin, rritjen e çmimeve të karburanteve dhe shtrenjtimin e jetesës.

Trump shprehu mbështetjen e tij për Hegseth përmes platformës Truth Social, duke e cilësuar atë si një “patriot të madh amerikan” dhe duke pretenduar se ai ishte shfajësuar.

Edhe më herët gjatë së martës, Hegseth e kishte quajtur përpjekjen për shkarkimin e tij një “farsë”, ndërsa kishte mbrojtur operacionet ushtarake të zhvilluara nën administratën Trump, përfshirë luftën në Iran.

Gjatë një konference për media në Pentagon, ai tha se nisma ishte “një farsë dhe një spektakël”, ndërsa akuzat i cilësoi si shpifje dhe sabotim.

Hegseth mbrojti gjithashtu operacionet në Jemen, Iran dhe ato kundër personave të dyshuar për trafikim të drogës.

“Qëndroj prapa secilit prej këtyre operacioneve. Jam krenar që i kam zbatuar dhe do t’i bëja përsëri edhe nesër”, deklaroi ai, duke e paraqitur përpjekjen për shkarkimin e tij si një sulm ndaj trupave amerikane.

Pas paraqitjes së tij televizive, Trump përsëriti mbështetjen për shefin e Pentagonit, duke shkruar në Truth Social se Hegseth merrte notën “A PLUS, PLUS, PLUS”.

Edhe zëvendëspresidenti JD Vance deklaroi se Hegseth “qartazi nuk” kishte kryer shkelje që do të përbënin arsye për shkarkimin e tij.

Rezoluta e paraqitur nga Massie përmbante tetë pika akuzash. Disa prej tyre lidhen me mënyrën se si Hegseth ka menaxhuar luftën në Iran, përfshirë nisjen e veprimeve ushtarake pa autorizimin e Kongresit dhe abuzimin me pushtetin në cilësinë e shefit të Pentagonit.

Në mesin e akuzave përfshihen edhe sulmet ndaj anijeve të dyshuara për trafikim droge në Karaibe dhe në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor, të cilat Massie i cilësoi si “vrasje jashtëgjyqësore”, si dhe konflikti i vitit 2025 me rebelët Huthi në Jemen, të mbështetur nga Irani.

Massie e akuzoi gjithashtu Hegseth për kufizimin e lirisë së shprehjes, pasi ky i fundit kishte tentuar të ndëshkonte senatorin demokrat Mark Kelly për një video, në të cilën ai u bënte thirrje personelit ushtarak dhe të inteligjencës që të mos zbatonin urdhra të paligjshëm.

Demokratët mund t’i rikthehen përpjekjeve për shkarkimin e Hegseth në janar, pasi të marrin kontrollin e Kongresit. Ndërkohë, Massie do të largohet nga Kongresi, pasi humbi zgjedhjet paraprake republikane përballë një kandidati të mbështetur nga Trump. /Telegrafi/