
Një aksident masiv rrugor është regjistruar mëngjesin e së mërkurës në qytetin Seongnam, në Korenë e Jugut, ku një autobus është përplasur me dhjetëra automjete. Si pasojë, 57 persona kanë mbetur të plagosur, nëntë prej tyre në gjendje të rëndë, përcjell DW.
Sipas autoriteteve të zjarrfikësve në provincën Gyeonggi, ku ndodhet qyteti Seongnam, autobusi u përplas me 32 automjete, mes tyre makina dhe katër autobusë të tjerë, përpara se të përfundonte në trafikndarësen e rrugës. Pavarësisht numrit të të plagosurve, asnjëri prej tyre nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Agjencia e lajmeve Yonhap raportoi fillimisht për 48 të plagosur, gjashtë prej të cilëve në gjendje të rëndë, por autoritetet më vonë përditësuan bilancin në 57 persona.
Ka nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Sipas Yonhap, drejtuesi i autobusit u ka thënë hetuesve se mjetit i kishin dështuar frenat. Ai, i cili besohet të jetë rreth të 60-ave, rezultoi negativ në testin e alkoolit.
Edhe shoferi mbeti i plagosur dhe u dërgua në spital pasi u nxor nga autobusi, raportoi transmetuesi publik i Koresë së Jugut, KBS.
Aksidenti ndodhi gjatë orarit të pikut të mëngjesit. Në vendngjarje u angazhuan dhjetëra efektivë dhe automjete zjarrfikëse, ndërsa u ngrit edhe një pikë e posaçme për ndihmën e shpejtë.
Seongnam, me një popullsi prej afro 900 mijë banorësh, ndodhet në jug të kryeqytetit Seul.