Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka propozuar Mikhail Bogachekun për ambasador të ri amerikan në Kosovë. Shtëpia e Bardhë ka dërguar emrin e tij në Senatin amerikan për shqyrtim dhe konfirmim, së bashku me një listë kandidatësh për pozita të tjera diplomatike dhe institucionale.

Sipas njoftimit zyrtar, Bogachek nga Florida është nominuar për postin e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të SHBA-së në Republikën e Kosovës.

Ende nuk është bërë e ditur se kur Senati amerikan do ta shqyrtojë kandidaturën e tij.

Kush është Mikhail Bogachek?

Bogachek, i njohur edhe si Michael E. Bogachek, ka mbi 25 vjet përvojë profesionale në sektorin privat, veçanërisht në shëndetësi, teknologji dhe drejtim institucional.

Sipas biografisë zyrtare të Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS), ai mban pozitën e drejtorit ekzekutiv të kësaj organizate, ku mbikëqyr administratën, financat, burimet njerëzore, prokurimin, teknologjinë informative dhe menaxhimin e rrezikut.

Më parë ka qenë drejtor operativ i kompanisë VativoRx, e cila ofron shërbime të menaxhimit të përfitimeve farmaceutike për mbi 1.4 milion persona në SHBA.

Ai është gjithashtu themelues i kompanisë Cooperton, e specializuar në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave, si dhe i PharmaLife, kompani që ka zhvilluar sisteme elektronike për menaxhimin e të dhënave shëndetësore.

Bogachek ka diplomuar në inxhinieri industriale dhe të sistemeve në Georgia Institute of Technology dhe ka doktoraturë në bioinxhinieri. Në vitin 2026 ka përfunduar programin e menaxhimit për drejtues në Harvard Business School.

Sipas biografisë së tij, ai është autor i mbi 20 publikimeve shkencore dhe flet rrjedhshëm rusisht, ukrainisht dhe hebraisht.

Një tjetër element i profilit të tij është lidhja me republikanët amerikanë. Në nëntor 2023, Bogachek u zgjodh anëtar i bordit drejtues të Koalicionit Republikan Hebre (Republican Jewish Coalition), organizatë që mbështet kandidatët republikanë dhe promovon marrëdhëniet ndërmjet komunitetit hebre amerikan dhe Partisë Republikane.

Ambasadori i fundit i SHBA-së në Kosovë ishte Jeffrey Hovenier, i cili e përfundoi misionin diplomatik në fund të dhjetorit 2024.

Hovenier kishte marrë detyrën më 10 janar 2022, ndërsa u largua nga Kosova më 30 dhjetor 2024, pas afro 3 vjetësh në këtë post.

Pas largimit të tij, detyrën e të Ngarkuarës me Punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë e mori Anu Prattipati, e cila në atë kohë ishte zëvendësshefe e misionit diplomatik.

Nominimi i Bogachekut vjen pas një periudhe prej gati 2 vjetësh pa ambasador të konfirmuar amerikan në Prishtinë./KosovaPress