
Juventus dhe Milani pritet të përballen në një tjetër duel jashtë fushës së lojës, këtë herë në merkaton e transferimeve. Në qendër të vëmendjes është sulmuesi i Club Brugge, Nicolo Tresoldi, i cili po kalon një periudhë mjaft të mirë dhe është kthyer në një nga emrat më të kërkuar të futbollit europian.
Sulmuesi ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet dhe golat e realizuar në Belgjikë gjatë një viti e gjysmë, duke zgjuar interesimin e disa klubeve të mëdha. Milani ka bërë tashmë lëvizjet e para për të, por kuqezinjtë nuk janë të vetëm në këtë garë. Edhe Juventusi po e ndjek me seriozitet situatën e 20-vjeçarit.
Megjithatë, konkurrenca është e fortë. Në garë për shërbimet e Tresoldit janë gjithashtu emra të rëndësishëm të futbollit europian si Chelsea, Bayern Munich dhe Manchester City.
Club Brugge, nga ana tjetër, e ka të qartë se bëhet fjalë për një aset të rëndësishëm dhe nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë prej tij. Sipas raportimeve nga Italia, klubi belg synon të përfitojë të paktën 50 milionë euro nga shitja e sulmuesit.
Interesimi për Tresoldin lidhet edhe me nevojën e Juventusit për të përforcuar repartin ofensiv. Luciano Spalletti kërkon një sulmues që të garantojë më shumë efikasitet para portës, pasi skuadra ka vuajtur për të gjetur golat e nevojshëm.
Për momentin, Nicolo Tresoldi është një investim që kërkon një shpenzim të konsiderueshëm, por potenciali dhe paraqitjet e tij kanë bindur disa prej klubeve më të mëdha të Europës.
