SHBA/ Makina përplas këmbësorët në Los Angeles, 3 viktima dhe 3 të plagosur rëndë

Tre persona kanë humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur rëndë pasi një automjet ka përplasur disa këmbësorë në zonën e North Hollywood, në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ngjarja tragjike ndodhi të martën, më 10 nëntor, rreth orës 17:55 me orën lokale, në bulevardin North Lankershim, pranë një stacioni autobusi.
Sipas Policisë së Los Angelesit, një automjet tip fuoristradë (SUV), me ngjyrë të bardhë, ka përplasur disa këmbësorë. Mësohet se automjeti ka goditur edhe një tezge ambulante ku shitej ushqim.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit, të cilët konstatuan se tre prej personave kishin marrë plagë fatale dhe fatkeqësisht humbën jetën. Ndërkohë, tre të plagosur të tjerë u transportuan në spitalet e zonës në gjendje kritike.
Pamjet ajrore të transmetuara nga mediat amerikane tregojnë automjetin e bardhë të ndaluar pranë hyrjes së stacionit të metrosë, ndërsa zona ishte rrethuar nga forcat e policisë dhe ekipet e shpëtimit.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë publike identitetet e viktimave dhe të të plagosurve. Gjithashtu, mbetet e paqartë se çfarë shkaktoi devijimin e automjetit drejt këmbësorëve.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit tragjik.




