Kuvendi i Shqipërisë kërkon 40.7 milionë lekë për vitin 2027 për financimin e projektit “Media Hub, AI-Memoria Digjitale dhe Inteligjenca e Punimeve Parlamentare”, një investim që synon zhvillimin e infrastrukturës digjitale të institucionit.
Kërkesa është pjesë e dokumentit zyrtar që administrata e Kuvendit i ka drejtuar më 6 nëntor 2026 kryetarit Niko Peleshi, Byrosë së Kuvendit dhe Sekretariatit për Buxhetin, përmes të cilit kërkohet rritja e financimit të institucionit për vitin e ardhshëm.
Dokumenti do të shqyrtohet sot në orën 14:00 në Byronë e Kuvendit.
Sipas dokumentit, projekti “FV Media Hub Kuvendi” ishte përfshirë fillimisht në buxhetin e vitit 2026 me një fond prej 50.2 milionë lekësh.
Megjithatë, administrata parlamentare sqaron se, në zbatim të ligjit për qeverisjen elektronike dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 369, datë 20 maj 2026, për përcaktimin e rregullave të pagesave të shërbimeve të ofruara nga shoqëria Albanian Digital Solution (ADS) sh.a. ndaj institucioneve publike përfituese, Kuvendi ka ndjekur komunikimet zyrtare me këtë shoqëri.
Në dokument theksohet se gjatë muajit nëntor 2026 është lidhur kontrata për zhvillimin e këtij investimi.
Financimi i projektit është parashikuar të realizohet në faza, në përputhje me grafikun e punimeve. Për vitin 2026, administrata e Kuvendit parashikon likuidimin e vetëm 8,568,200 lekëve, ndërsa për vitin 2027 kërkon financimin e pjesës së mbetur prej 40,704,468 lekësh.
Në total, Kuvendi kërkon 213.7 milionë lekë për investime kapitale gjatë vitit 2027, nga të cilat 165.7 milionë lekë janë fonde shtesë mbi shumën e parashikuar në projektbuxhet.
Megjithatë, në dokumentin e administratës parlamentare nuk jepen hollësi mbi funksionalitetet konkrete të platformës “Media Hub”, mënyrën se si do të përdoret inteligjenca artificiale apo shërbimet që do të ofrojë për deputetët, administratën, gazetarët dhe publikun.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale do të kushtojë 25 milionë lekë, ose rreth 250 mijë euro, sipas kërkesës për buxhet të posaçëm që kryetari i tij, Arbjan Mazniku, i ka drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Pjesën më të madhe të buxhetit të kërkuar, 16.2 milionë lekë, ose 64.8% të totalit, parashikohet ta zënë pagesat për ekspertët e jashtëm.
Sipas dokumentit, Komisioni synon të angazhojë 30 ekspertë, të ndarë në pesë grupe pune, me nga gjashtë ekspertë secili. Këto grupe do të trajtojnë funksionet infrastrukturore, funksionet sociale, funksionet ligjzbatuese, financat vendore, si dhe qeverisjen dhe rajonalizimin.
Nga një përllogaritje e thjeshtë, fondi prej 16.2 milionë lekësh përkthehet në një mesatare prej 540 mijë lekësh për çdo ekspert për angazhimin e parashikuar.
Një tjetër zë i rëndësishëm është organizimi i eventeve publike, për të cilat kërkohen 6.8 milionë lekë, ose 27.2% e buxhetit.
Komisioni parashikon zhvillimin e të paktën tri aktiviteteve të mëdha jashtë ambienteve të Kuvendit, të cilat do të shërbejnë për konsultimin publik mbi reformën territoriale.
Aktiviteti i parë do të organizohet me përfaqësues të qeverisë, agjencive kombëtare, bashkive, anëtarëve të komisionit dhe ekspertëve.
Në aktivitetin e dytë parashikohet pjesëmarrja e përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Arsimit, universiteteve shqiptare, shoqatave të bashkive dhe anëtarëve të komisionit.
Ndërsa aktiviteti i tretë do të shërbejë për prezantimin e gjetjeve kryesore dhe ballafaqimin e tyre me një audiencë më të gjerë.
Për këto aktivitete, shuma mesatare e planifikuar rezulton rreth 2.27 milionë lekë për event, nëse realizohen vetëm tri aktivitete.
Dy milionë lekë të tjera, ose 8% e buxhetit, kërkohen për udhëtime, media, komunikim dhe mbështetje shtesë. Në dokument nuk jepet një ndarje më e detajuar e kësaj shume për secilin prej këtyre shpenzimeve.
Administrata e Kuvendit të Shqipërisë ka propozuar një riorganizim të strukturës së saj, duke parashikuar krijimin e katër njësive të specializuara për monitorimin e drejtësisë, institucioneve të pavarura, ekzekutivit dhe agjencive qeveritare, si dhe trajtimin e nismave dhe peticioneve.
Sipas propozimit, ky shërbim do të organizohet në katër njësi të veçanta:
* Njësia e Monitorimit të Drejtësisë;
* Njësia e Monitorimit të Institucioneve të Pavarura;
* Njësia e Monitorimit të Ekzekutivit dhe Agjencive Ekzekutive;
* Njësia e Nismave dhe Peticioneve.
Struktura e re e monitorimit do të ketë gjithsej 15 pozicione pune, përfshirë drejtuesin e shërbimit.
Tri prej njësive do të përbëhen nga katër pozicione këshilltarësh secila, ndërsa Njësia e Nismave dhe Peticioneve do të ketë një këshilltar dhe një koordinator.
Relacioni parashikon ndërhyrje edhe në strukturën e Shërbimit të Komisioneve Parlamentare.
Konkretisht, në Njësinë e Këshilltarëve propozohet shtimi i dy pozicioneve, të cilat do të transferohen nga Sekretariati Teknik i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Pas këtij ndryshimi, Shërbimi i Integrimit Europian do të organizohet me gjithsej 22 pozicione pune.

Deputetët do të mësojnë për Bashkimin Europian dhe vlerat e BE përmes librave të blerë nga Kuvendi.
Kuvendi i Shqipërisë kërkon një fond prej 500 mijë lekësh në buxhetin e vitit 2027 për blerjen e librave fizikë dhe digjitalë, të cilët do të jenë në dispozicion të deputetëve dhe administratës parlamentare.
Kërkesa është përfshirë në dokumentin zyrtar të administratës së Kuvendit, drejtuar kryetarit Niko Peleshi, Byrosë së Kuvendit dhe Sekretariatit për Buxhetin, në kuadër të shqyrtimit të projektbuxhetit për vitin 2027.
Sipas dokumentit, fondi do të përdoret për pasurimin e Bibliotekës së Kuvendit me literaturë të specializuar, kryesisht në fushën e së drejtës, politikave të Bashkimit Europian dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
“Blerjet do të përqendrohen në literaturën në gjuhë të huaj, me tituj që mbulojnë fusha të ndryshme të së drejtës, politikave dhe integrimit europian”, thuhet në dokumentin zyrtar.
Sipas administratës së Kuvendit, përzgjedhja e librave do të bëhet në përputhje me prioritetet dhe nevojat e identifikuara nga shërbimi i Bibliotekës së Kuvendit.









Komente
Komento