Policia e Shtetit vijoi me zbatimin e aktit normative që gjobit protestuesit që nuk i binden thirrjeve të saj për të liruar bulevardin. Drejtoria e Tiranës njofton se në dy ditët e fundit, pra në tubimet e së hënës dhe të martës janë gjobitur 37 qytetarë, secili prej tyre me nga 5 mijë lekë. Ndëshkimet janë dhënë për bllokimin e Bulevardit Dëshmorët e Kombit para godinës së Kryeministrisë, ku çdo mbrëmje një grup qytetarësh tubohen për të protestuar kundër Qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë, akti normativ është kundërshtuar nga një grup studentësh dhe disa organizata të shoqërisë civile, që e kanë ankimuar atë në Gjykatën Kushtetuese. Studentët kërkojnë pezullimin e zbatimit të këtij akti si vendim të ndërmjetëm dhe shfuqizimin si antikushtetues të tij pas shqyrtimit në themel.