Kombëtarja shqiptare do të luajë mbrëmjen e së enjtes ndeshjen e raundit të parafundit të Nations League me Finlandën.
Në ‘Arenën Kombëtare’, kuqezinjtë do të kërkojnë që të marrin një rezultat pozitiv për të konfirmuar vendin e parë në Grupin C1 të kompeticionit.
Ajo që do të zhvillohet këtë të enjte do të jetë përballja e 9 mes Kombëtares shqiptare dhe Finlandën, me bilancin që i buzëqesh pikërisht kësaj të fundit. Skuadra skandinave ka 5 fitore, kundrejt 2 të kuqezinjve, ndërkohë që 1 sfidë është mbyllur në barazim.
Një pjesë e mirë e ndeshjeve mes Kombëtares dhe Finlandës kanë qenë për kualifikueset e Kupës së Botës. Gjithçka ka nisur me kualifikueset e Botërorit 1974 dhe ndeshja e parë mes Shqipërisë dhe Finlandës është ajo e luajtur 21 qershor të 1972 me nordikët që fituan 1-0. Në sfidën e kthimit të luajtur në Shqipëri në 10 tetor të 1973, Kombëtarja ishte ajo që fitoi, edhe kjo me rezultatin 1-0.
Kombëtarja dhe Finlanda u përballën mes tyre edhe në kualifikueset e Botërorit 1982. Në sfidën e luajtur në 3 shtator të 1980, kuqezinjtë fituan 2-0, ndërsa në atë të zhvilluar në 2 shtator të 1981 ishte Finlanda që triumfoi me rezultatin 2-1.
Njëzet vjet më vonë, Kombëtarja dhe Finlanda luajtën mes tyre në kualifikueset e Botërorit 2002 me skandinavët që fituan të dyja ndeshjet; 12-1 në sfidën e 2 shtatorit të vitoit 200 dhe 2-0 në ndeshjen e luajtur në 1 shtator 2001.
Barazimi i vetëm i regjistruar mes Kombëtares dhe Finlandës është regjistruar në 7 janar 2002 në një turne me 4 skuadra të zhvilluar në Bahrein, një sfidë që u mbyll 1-1. Dhe përballja e fundit është pikërisht ajo e luajtur në 3 tetor në Helsinki në këtë edicion të Nations League, një sfidë të cilën Finlanda e fitoi me përmbysje në rezultat 2-1.










