Nga kultura te shëndetësia, investimet publike me realizimin më të dobët në 9-mujor

Investimet publike vijojnë të kenë një ecuri të dobët edhe gjatë vitit 2026, duke shfaqur mos-realizim të fortë në raport me planin me fusha të tilla jetike si ujësjellësit, shëndetësia, arsimi dhe kultura.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave se në nëntë muajt e vitit, janë realizuar vetëm 59.7 miliardë lekë investime, nga 163.2 miliardë lekë të parashikuara në buxhetin 2026 ose 36.6% e totalit. Sipas të dhënave të raportit të investimeve qendrore për periudhën janar–shtator 2026, rreth 103.4 miliardë lekë (1,1 miliardë euro) ose 63.4% e fondeve, mbeten të pashpenzuara në fund të shtatorit.
Ecuria është veçanërisht e dobët në disa sektorë, ku realizimi i investimeve nuk arrin as 20% të fondeve të programuara. Kultura, trashëgimia, sporti dhe rinia, transporti hekurudhor, detar dhe ajror, si dhe emergjencat civile janë zërat me nivelin më të ulët të realizimit tregojnë të dhënat zyrtare.
Kultura dhe sporti, vetëm 8.3% e fondeve të shpenzuara
Investimet në kulturë, trashëgimi, sport dhe rini kanë pasur ecurinë më të dobët. Nga rreth 2.95 miliardë lekë të parashikuara, deri në fund të shtatorit ishin realizuar vetëm 244 milionë lekë, ose 8.3% e totalit. Rreth 2.7 miliardë lekë mbetem të pashpenzuara.
Një tjetër sektor me realizim të ulët është transporti hekurudhor, detar dhe ajror. Nga afro 6 miliardë lekë të programuara për të gjithë vitin janë shpenzuar vetëm 790 milionë lekë, ose 13.2% e fondeve. Diferenca mes buxhetit dhe realizimit arrin në rreth 5.2 miliardë lekë.
Edhe investimet për emergjencat civile kanë mbetur shumë pas planifikimit. Nga 4.53 miliardë lekë në dispozicion, janë realizuar vetëm 721 milionë lekë, ose 15.9%. Fondet e pashpenzuara arrijnë në 3.81 miliardë lekë. Dobësitë në këtë ent publike vijnë në një kohë ku fatkeqësitë natyrore janë shtuar me zjarre në verë dhe përmbytje në dimër që po krijojnë miliarda euro dëme.
Energjia është një tjetër sektor me realizim të dobët, në nivelin 21.3%. Nga 2.46 miliardë lekë të planifikuara, janë shpenzuar vetëm 524 milionë lekë.
Në sektorin e mbetjeve dhe mjedisit, realizimi arrin në 23.5%. Nga 9.92 miliardë lekë të programuara, janë shpenzuar 2.33 miliardë lekë, ndërsa rreth 7.59 miliardë lekë mbeteshin ende të parealizuara.
Nivele të ulëta realizimi regjistrohen edhe në peshkim dhe ekonomi detare, me 26.6% të fondeve të shpenzuara.
Mbrojtja, vetëm 27% e fondeve; mbi 23 miliardë lekë të pashpenzuara
Në vlerë absolute, një nga diferencat më të mëdha mes planifikimit dhe realizimit regjistrohet në sektorin e mbrojtjes dhe ushtrisë.
Nga 31.9 miliardë lekë të programuara për investime, deri në shtator janë realizuar 8.66 miliardë lekë, ose vetëm 27.1% e totalit. Fondet e pashpenzuara arrijnë në rreth 23.25 miliardë lekë, diferenca më e madhe në vlerë absolute ndërmjet të gjithë zërave kryesorë të investimeve.
Realizim nën mesataren e përgjithshme kanë edhe investimet për zhvillimin territorial dhe urban, ku janë shpenzuar 6.09 miliardë lekë nga 17.77 miliardë lekë të programuara, ose 34.3% e totalit.
Në teknologji, administratë dhe institucione, realizimi është 35.6%.
Shëndetësia, arsimi dhe ujësjellësit, mbi gjysma e fondeve ende të pashpenzuara
Investimet në tre sektorë të rëndësishëm të shërbimeve publike, shëndetësi, arsim dhe ujësjellës-kanalizime, kanë ecur gjithashtu me ritme shumë të dobëta ku më shumë se gjysma e fondeve të programuara mbeten të pashpenzuara në fund të shtatorit.
Shëndetësia ka ecurinë më të dobët mes tyre. Nga rreth 5 miliardë lekë të parashikuara për investime, janë realizuar vetëm 1.82 miliardë lekë, ose 36.1% e totalit. Rreth 3.22 miliardë lekë mbeteshin të pashpenzuara.
Në arsim dhe kërkim shkencor, realizimi është më i lartë, por sërish nën gjysmën e buxhetit të programuar për këtë vit. Nga 7.16 miliardë lekë të programuara, janë shpenzuar 3.12 miliardë lekë, ose 43.6%, ndërsa rreth 4 miliardë lekë mbeten të parealizuara deri në fund të shtatorit.
Ujësjellësit dhe kanalizimet kanë një buxhet investimesh dukshëm më të madh se dy sektorët e tjerë. Nga 14.38 miliardë lekë të programuara, janë realizuar 6.14 miliardë lekë, ose 42.7%. Fondet e pashpenzuara arrijnë në 8.25 miliardë lekë.
Rrugët, realizimi më i lartë
Infrastruktura rrugore është zëri me vlerën më të madhe të investimeve të realizuara, si dhe me përqindjen më të lartë të realizimit ndër grupet kryesore.
Nga 31.4 miliardë lekë të programuara për rrugët këtë vit, janë shpenzuar 18.37 miliardë lekë, ose 58.5% e fondeve deri në fund të shtatorit. Megjithatë, edhe në këtë sektor mbeteshin rreth 13 miliardë lekë për tu shpenzuar në tre muaj./ B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.










