Doli në telefonin e sekuestruar/ Prokuroria e Elbasanit e referoi Sara Milan në SPAK, dyshimet për korrupsion

Doli në telefonin e sekuestruar/ Prokuroria e Elbasanit e referoi Sara Milan në SPAK, dyshimet për korrupsion

11:49, 11/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, është paraqitur këtë të mërkurë në Prokurorinë e Posaçme, ku është marrë në pyetje në lidhje me hetimet për dyshimet e korrupsionit zgjedhor, përmes përdorimit të skemës së ndihmës ekonomike në zonën e Gjoçajt, në Peqin.

Mila ka qëndruar rreth 40 minuta në ambientet e SPAK-ut dhe në përfundim të dëshmisë, ajo ka deklaruar për mediat se është pyetur në cilësinë e personit në dijeni dhe se ka dhënë shpjegimet e saj.

Sipas gazetarit të SYRI TV, çështja nisi të hetohej nga Prokuroria e Elbasanit pas dyshimeve për abuzime me skemën e ndihmës ekonomike në zonën e Gjoçajt.

Hetimet zbuluan parregullsi në listat e përfituesve, ku numri i familjeve të regjistruara dyshohet se ishte rritur nga 110 në 320, duke shkaktuar një dëm prej rreth 12.5 milionë lekësh.

Por një tjetër element doli gjatë këqyrjes së një telefoni të sekuestruar në kuadër të hetimit. Në të dhënat e administruara u evidentuan komunikime ku përmendej edhe emri i deputetes socialiste Sara Mila, duke ngritur dyshime për përfshirje në një skemë të mundshme të ndikimit te votuesit përmes ndihmës ekonomike.

Në këtë moment, Prokuroria e Elbasanit ndau procedimin penal, zyrtarët lokalë i dërgoi për gjykim në Elbasan, ndërsa materialet që lidhen me deputeten ia referoi me dyshimet për veprën penale të korrupsionit në zgjedhje Prokurorisë së Posaçme.

Mbetet për t’u parë nëse hetimi i SPAK-ut do të prodhojë të tjera veprime procedurale në këtë çështje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco