Dy persona të shpallur në kërkim janë kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në hyrje dhe dalje të Republikës së Shqipërisë.
Në kuadër të operacionit, në dalje të vendit është arrestuar një shtetas turk, 31 vjeç, me inicialet E. U., i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara.
Sipas njoftimit të Policisë, Gjykata Penale e Shkallës së Parë Nr. 2 në Gebze, Turqi, kishte lëshuar më 31 korrik 2026 urdhër arresti ndaj tij, pasi akuzohet për mashtrim të kryer gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet turke, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Turqisë.
Ndërkohë, në hyrje të Shqipërisë është kapur edhe një tjetër shtetas, 27 vjeç, me inicialet E. V., i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare.
Ai ishte dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë me 3 vite e 4 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale për rastet i janë referuar autoriteteve kompetente për veprime të mëtejshme.












