Avokati i Popullit, Endrit Shabani, priti Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila paraqiti gjetjet e Raportit të Zgjerimit të Komisionit Evropian për vitin 2026.
Gjatë takimit u diskutua nevoja për fuqizimin e institucioneve të pavarura që mbrojnë të drejtat e njeriut.
Avokati i Popullit ndau me Ambasadoren sfidat me të cilat po përballet institucioni, duke nisur nga rritja e ngarkesës së punës. Nga njëra anë, më shumë qytetarë po kërkojnë ndërhyrjen e Avokatit të Popullit, duke e rritur numrin e ankesave me një të tretën krahasuar me vitin e kaluar.
Nga ana tjetër, roli i institucionit po rritet, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të përafrimit të legjislacionit me acquis communautaire.
Moreira de Sousa theksoi se edhe Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2026 evidenton nevojën për mbështetjen dhe fuqizimin e Avokatit të Popullit. Raporti konstaton se zyrat rajonale të Avokatit të Popullit ndikohen nga mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare dhe kërkon që këto mungesa të adresohen nga Kuvendi.
Shabani propozoi që zbatimi i rekomandimeve të institucioneve të pavarura të jetë pikë e përhershme në dialogun e Bashkimit Evropian me qeverinë shqiptare për kapitullin 23.
Në takim u diskutua edhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, fushë ku raporti e vlerëson zbatimin si sfidues.
Gjithashtu, u diskutua për perspektivën e të rinjve në një Shqipëri evropiane, për rëndësinë e ndërtimit të institucioneve demokratike, si dhe për përgjegjësitë që vijnë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ambasadorja e BE-së theksoi se Bashkimi Evropian e shikon Avokatin e Popullit si partner kryesor në mbikëqyrjen institucionale dhe në fuqizimin e llogaridhënies demokratike, dhe ofroi mbështetje të vazhdueshme për rritjen e rolit të institucionit në kuadër të integrimit evropian.