Dy të rinj në Tiranë, të dy 22 vjeç, janë vënë në pranga për falsifikim dokumentesh europiane. Hajdar Bajramit e Bujar Metës u janë sekuestruar 1 pasaportë dhe 1 leje drejtimi polake, 1 kartë identiteti dhe 1 leje drejtimi austriake, 1700 euro, 1 makinë, 1 motor dhe 2 celularë.

Njoftimi i plotë:

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Imitimi”.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas që falsifikonin dokumente të shteteve të BE-së, me qëllim shitjen.

Sekuestrohen dokumente polake dhe austriake, të dyshuara të falsifikuara, 1700 euro, 2 mjete dhe celularët e të arrestuarve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe të Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, si rezultat i përdorimit të metodave hetimore speciale dhe bashkëpunimit me gazetarët e emisionit “Piranjat”, finalizuan operacionin e koduar “Imitimi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit H. B., 22 vjeç dhe B. M., 22 vjeç.

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas prodhonin dhe shitnin dokumente false të shteteve të BE-së.

Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 pasaportë dhe 1 leje drejtimi polake, 1 kartë identiteti dhe 1 leje drejtimi austriake, të gjitha të dyshuara të falsifikuara, si dhe 1700 euro të dyshuara të përfituara nga shitja e dokumenteve false, 1 automjet, 1 motomjet dhe 2 celularë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, dhe në drejtimin e saj, Policia e Tiranës vijon hetimin për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Policia e Tiranës falënderon gazetarët e emisionit “Piranjat”, për bashkëpunimin, dhe shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar konform detyrave funksionale, për çdo rast të paraqitur nga media.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë