Reforma Administrativo-Territoriale po hyn në fazën e saj të dytë, por duket se faturimi për taksapaguesit shqiptarë nis me ritme të larta burokratike dhe financiare. Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar, Arbjan Mazniku, i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, përmes së cilës kërkon një buxhet të majmë prej 254 mijë eurosh dhe angazhimin e 30 ekspertëve të jashtëm për të çuar procesin përpara.
Sipas dokumentit të siguruar nga mediat, kjo fazë e dytë mbështetet në tri shtylla kryesore: Funksionet, financat vendore, si dhe qeverisja e rajonalizimi, të cilat do të shtrihen e ndahen në 5 grupe pune të veçanta. Përtej ambicieve letrare të reformës, ajo që bie në sy është ndarja e shpenzimeve, ku luan roli kryesor konsulenca e jashtme.
Për këtë zë kërkohen plot 164,467 euro të destinuara për të paguar 30 ekspertë, ose e thënë ndryshe nga 6 ekspertë për secilin nga 5 grupet e punës.
Një fond prej rreth 69,036 euro i është faturuar organizimit të të paktën 3 eventeve të mëdha logjistike jashtë ambienteve të Kuvendit, të parashikuara për procesin e konsultimit publik.
Pjesa e mbetur prej rreth 20,305 euro do të shkojë për shpenzime operative, udhëtime, mbështetje dhe mediat.
Megjithatë, ky shpenzim i madh publik po ndërtohet mbi një terren politik tejet të brishtë dhe të tensionuar. Mbledhja e parë e kësaj faze të dytë, e cila u mbajt ditën e djeshme, është shoqëruar me mungesën e konsensusit, pasi Partia Demokratike (PD) ka zgjedhur ta bojkotojë hapur komisionin.