
Elbasani përkujtoi sot, 11 Nëntorin, 82-vjetorin e Çlirimit të qytetit, në një ceremoni përkujtimore të zhvilluar pranë Lapidarit kushtuar 23 partizanëve të Brigadës së XV Sulmuese, të cilët dhanë jetën për çlirimin e kryeqendrës së Shqipërisë së Mesme.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, deputetë, drejtuesi politik i Qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku, veteranë të LANÇ-it, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë, të cilët kryen homazhe dhe vendosën kurora me lule në nderim të të rënëve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerësoi sakrificën e dëshmorëve, duke theksuar se përgjegjësia e brezit të sotëm është ta nderojë këtë trashëgimi përmes punës për zhvillimin e qytetit dhe krijimin e më shumë mundësive për qytetarët.
“Brezi i vitit 1944 luftoi për çlirimin e Elbasanit. Brezi ynë ka detyrën ta çojë më tej këtë amanet historik, duke ndërtuar një Elbasan modern dhe konkurrues, me ekonomi të fortë, institucione të përgjegjshme, mundësi të barabarta për çdo qytetar dhe një të ardhme ku të rinjtë të kenë arsye të besojnë, të qëndrojnë dhe të ndërtojnë jetën e tyre në qytetin që duan”, u shpreh Llatja.
Ai theksoi se liria duhet të përkthehet në mundësi konkrete për të rinjtë, familjet dhe të moshuarit, përmes arsimit cilësor, zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies.
Në këtë ceremoni përshëndeti gjithashtu edhe drejtuesi politik i Qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku, i cili vlerësoi kontributin dhe sakrificën e dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e Elbasanit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe përcjelljes së vlerave të tyre te brezat e rinj.
“Historia nuk nderohet vetëm duke kujtuar ata që e shkruan, por edhe duke u treguar të denjë për sakrificën e tyre”, ishte mesazhi i kryetarit Llatja në këtë ditë përkujtimore, duke përcjellë mirënjohjen për dëshmorët, veteranët dhe familjarët e tyre.


