Sara Mila del nga SPAK, qytetarët e bëjnë për “dush të ftohtë”: Hajdute!
Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku është marrë në pyetje lidhur me hetimet për dyshimet mbi blerjen e votave gjatë zgjedhjeve në Elbasan, përmes premtimeve për dhënien e ndihmës ekonomike.
Pas përfundimit të dëshmisë, Mila u ndal përpara mediave dhe deklaroi se ishte thirrur në cilësinë e personit që kishte dijeni për rrethanat e çështjes. Ajo mohoi të kishte ndonjë shqetësim lidhur me paraqitjen në Prokurorinë e Posaçme, duke u shprehur e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë sa herë të kërkohet.
Deputetja socialiste e cilësoi situatën si një tjetër përpjekje për të dëmtuar imazhin e saj, duke ia atribuar akuzat kundërshtarëve politikë.
“Ky është një kalvar i gjatë i hedhjes së baltës nga politika e vjetër. U thirra si person që jam në dijeni dhe kam dhënë dëshminë time. Sa herë SPAK-u dhe organet e drejtësisë të kenë nevojë për fjalën time, do të jem këtu, sa herë të jetë e nevojshme, si një njeri që beson te ligji”, deklaroi Mila.
Në fund të prononcimit, ajo u shpreh se duhej të largohej pasi e prisnin qytetarët e Elbasanit për aktivitetet e organizuara me rastin e Ditës së Çlirimit.
Përballja me qytetaren: “Hajdute, u fute në Kuvend me votat e krimit!”
Por dalja nga SPAK nuk kaloi pa tensione. Teksa deputetja po komunikonte me gazetarët, një qytetare e pranishme në ambientet përreth ndërhyri me akuza të drejtpërdrejta ndaj saj, duke e akuzuar se kishte hyrë në Kuvend me mbështetjen e krimit.
“Pse u jepni rëndësi këtyre hajduteve? Këta që janë vendosur nga krimi? Nuk kanë kapacitet për të qenë në Kuvend. Turp, turp! Tradhtare!”, dëgjohet të thotë qytetarja në videon e publikuar nga momenti i përballjes.
Reagimi i qytetares u zhvillua në sfondin e deklaratave të Milës për mediat, duke krijuar një situatë të tensionuar në dalje të Prokurorisë së Posaçme.
Deputetja është thirrur në kuadër të hetimeve për dyshimet se gjatë fushatës zgjedhore në Elbasan janë premtuar ndihma ekonomike në këmbim të votave për Partinë Socialiste. Deri më tani, Mila ka deklaruar se është pyetur si person në dijeni të çështjes, ndërsa pretendimet e ngritura ndaj saj mbeten objekt i hetimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



