
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është përgjigjur Taulant Ballës lidhur me komisionin për Reformën Zgjedhore.
“Opozita nuk ka bojkotuar asnjëherë Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Ky është një fakt publik dhe lehtësisht i verifikueshëm. Nuk ka pasur asnjë mbledhje të thirrur të këtij Komisioni në të cilën përfaqësuesit tanë të mos kenë qenë të pranishëm.
Ajo që po ndodh është një përpjekje e mazhorancës për të devijuar dhe penguar punën e Komisionit, duke e zhvendosur vëmendjen drejt çështjeve dytësore, të cilat nuk lidhen me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias. Ky fokusim në çështje që nuk adresojnë standardet për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta po zvarrit procesin dhe po pengon përmbushjen e detyrimeve që ka Shqipëria për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.
Sa i përket projektligjit për financimin e partive politike, drafti fillestar i hartuar nga Komisioni i Posaçëm i është përcjellë për vlerësim urgjent Zyrës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Ekspertët e këtyre institucioneve kanë përcjellë opinionet dhe rekomandimet e tyre të plota. Qëndrimi i opozitës është i qartë: të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e tyre duhet të reflektohen plotësisht në tekstin e projektligjit. Ky proces nuk mund të konsiderohet i përfunduar dhe projektligji nuk mund të ecë përpara pa adresimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
Opozita do të vijojë të insistojë që Reforma Zgjedhore të përmbushë jo thjesht një detyrim formal apo procedural, por standardet dhe kërkesat e përcaktuara edhe nga Komisioni Europian: rikthimin e besimit të publikut te procesi zgjedhor, garantimin e konkurrencës së ndershme politike dhe mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve.
Reforma Zgjedhore duhet të prodhojë garanci reale për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta, jo të shndërrohet në një proces formal që shmang adresimin e problemeve themelore të demokracisë zgjedhore në Shqipëri”, shprehet Bardhi në një reagim në rrjetet sociale.
